Terrori në Theth/ Teliti: Paketa e maleve një skemë e pastër klienteliste për të grabitur pasuritë e banorëve

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, akuzon qeverinë për atë që ai e cilëson si një “manovër të mirëmenduar” për t’i dhuruar pasuritë natyrore dhe tokat publike klientëve të afërt të pushtetit, nën petkun e ligjshmërisë.

I ftuar në emisionin ‘Task Forcë’ në Syri TV, Teliti kritikoi ashpër mënyrën si po aplikohet ligji për legalizimin e ndërtimeve në zonat malore, veçanërisht në Theth, duke theksuar se procesi është i ndërtuar për t’u shërbyer ‘miqve dhe shokëve’ të lidhur me qeverinë.

Ai e përshkroi situatën si një skemë klasike ku “korrupsioni nuk bëhet më me zarfe, por me ligje, VKM dhe letra të porositura”.

Dorian Teliti: Në statusin që është sot, ‘tokë e djegur’, për ta marrë dikush tjetër, ndonjë i interesuar, ndonjë mik apo shok, e merr praktikisht me kosto zero. Ndërsa në rast se do të ligjërohej nëpërmjet paketës së maleve, godinat të ndërtuara pa leje, sepse i gjithë Thethi ishte pa leje që ishte për faj të shtetit. Sepse ata pronarët atje nuk kishin sherre me njëri-tjetrin.

Thjesht thanë që na mungojnë letrat shtetërore. Ata ishin në paqe me njëri-tjetrin, nuk kishin konflikte për pronësinë me njëri-tjetrin. I vetmi konflikt ishte sepse shteti nuk u jep atyre letrën, që ta njihnin këtë dakordësi dhe ta kishin prej dhjetëra vitesh.

Në rast se ata do të ligjëroheshin dhe ata do të ishin pronarë, ai investitori strategjik, ai miku, ai shoku, ai që ndërton kate pa leje në Tiranë dhe më pas e ligjëron, do paguante para e do të binte në dakordësi. Do ti jepte ndoshta miliona euro, në varësi të llojit të pronës, është kursime për miqtë e për shokët, shumë e thjeshtë.

Ka edhe diçka tjetër. Aplikimet kanë filluar para tre ditësh. Hera e parë në 33 vite, që na u bëkan mbi 700 aplikime për 72 orë. Nuk ndodh. Duket që është diçka e parapërgatitur mirë. Duket që është studiuar mirë. Është diçka e porositur mirë, kur strukturat shtetërore me nivelin politik në krye i kanë thënë miqve dhe shokëve, bëhuni gati sepse ditën e martë hapet portali dhe ju i bëni gati që të kapni atë 500 e parë si investitor strategjik.

Korrupsioni njëherë e në një kohë ishte, ‘më jep, të jap’. Sot korrupsioni bëhet me ligje, bëhet me VKM, bëhet me udhëzime, bëhet me urdhra. Bëhet me letra. Dhe kur vjen fundi fare për ta dënuar dirë, ai thotë: Unë ligjin kam respektuar. Por ligji në këtë rast është i bërë gabim, janë ligje klienteliste, të porositura.

About Redaksia

Check Also

Urimi amerikan për zgjedhjet presidenciale në Surinam rrëzon farsën e 11 majit në Shqipëri

Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Rubio uroi Jennifer Geerlings-Simons për zgjedhjen e saj …