{"id":154962,"date":"2026-09-28T16:20:10","date_gmt":"2026-09-28T16:20:10","guid":{"rendered":"https:\/\/rdnews.al\/?p=154962"},"modified":"2026-09-28T16:20:10","modified_gmt":"2026-09-28T16:20:10","slug":"vokshi-si-po-e-mund-narkoshteti-shqiptar-kushtezimin-evropian","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/2026\/09\/28\/vokshi-si-po-e-mund-narkoshteti-shqiptar-kushtezimin-evropian\/","title":{"rendered":"Vokshi: Si po e mund narkoshteti shqiptar kusht\u00ebzimin evropian"},"content":{"rendered":"<p class=\"wp-block-paragraph\"><em>Integrimi europian i Shqip\u00ebris\u00eb nuk mund t\u00eb p\u00ebrdoret si fasad\u00eb p\u00ebr t\u00eb fshehur kriz\u00ebn e demokracis\u00eb, dob\u00ebsimin e shtetit t\u00eb s\u00eb drejt\u00ebs dhe kapjen e institucioneve.<\/em><\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\"><em>N\u00eb fjal\u00ebn e saj n\u00eb konferenc\u00ebn nd\u00ebrparlamentare t\u00eb zhvilluar n\u00eb Tiran\u00eb nga Kuvendi i Shqip\u00ebris\u00eb, n\u00ebnkryetarja e Komisionit t\u00eb Jasht\u00ebm n\u00eb Kuvend, Albana Vokshi, denoncoi at\u00eb q\u00eb opozita e konsideron si nj\u00eb hendek gjithnj\u00eb e m\u00eb t\u00eb madh mes angazhimeve europiane t\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb dhe realitetit t\u00eb qeverisjes.<\/em><\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\"><em>Ajo ngriti shqet\u00ebsime p\u00ebr zgjedhjet, keqp\u00ebrdorimin e burimeve shtet\u00ebrore, prokurimet publike, korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave, duke argumentuar se procesi i integrimit nuk mund t\u00eb reduktohet n\u00eb hapjen apo mbylljen formale t\u00eb kapitujve.<\/em><\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\"><em>Sipas Vokshit, Bashkimi Europian duhet t\u00eb k\u00ebrkoj\u00eb standarde konkrete dhe t\u00eb matshme, nd\u00ebrsa kusht\u00ebzimi europian duhet t\u00eb sh\u00ebrbej\u00eb si mekaniz\u00ebm p\u00ebr rikthimin e demokracis\u00eb, zgjedhjeve t\u00eb lira dhe shtetit t\u00eb s\u00eb drejt\u00ebs n\u00eb qend\u00ebr t\u00eb procesit t\u00eb an\u00ebtar\u00ebsimit.<\/em><\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\"><strong>Fjala e plot\u00eb<\/strong> <strong>e Albana Vokshit, n\u00ebnkryetare e Komisionit p\u00ebr Europ\u00ebn dhe Pun\u00ebt e Jashtme<\/strong><\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">T\u00eb dashur koleg\u00eb dhe miq t\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb,<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Faleminderit q\u00eb sot keni ardhur n\u00eb Tiran\u00eb p\u00ebr t\u00eb marr\u00eb pjes\u00eb n\u00eb k\u00ebt\u00eb konferenc\u00eb t\u00eb r\u00ebnd\u00ebsishme, por besoj edhe p\u00ebr t\u00eb treguar mb\u00ebshtetjen tuaj dhe t\u00eb vendeve e parlamenteve q\u00eb ju p\u00ebrfaq\u00ebsoni p\u00ebr Shqip\u00ebrin\u00eb dhe shqiptar\u00ebt.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Integrimi europian nuk \u00ebsht\u00eb thjesht nj\u00eb objektiv politik, \u00ebsht\u00eb nj\u00eb aspirat\u00eb komb\u00ebtare, q\u00eb kalon nd\u00ebr breza. P\u00ebr shqiptar\u00ebt, Europa nuk n\u00ebnkupton thjesht nj\u00eb jet\u00eb m\u00eb t\u00eb mir\u00eb; n\u00ebnkupton demokraci, liri dhe siguri. N\u00ebnkupton t\u00eb jemi pjes\u00eb e familjes s\u00eb kombeve ku sundon ligji dhe dinjiteti njer\u00ebzor.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">1. Ka nj\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb t\u00eb thjesht\u00eb: Shqip\u00ebria \u00ebsht\u00eb dhe mbetet vendi m\u00eb proeuropian n\u00eb rajon.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Sipas nj\u00eb sondazhi t\u00eb Komisionit Europian, 93% e shqiptar\u00ebve e mb\u00ebshtesin integrimin n\u00eb Bashkimin Europian. Krahasuar me mesataren rajonale prej 64%. Vet\u00ebm 2% e shqiptar\u00ebve e konsiderojn\u00eb an\u00ebtar\u00ebsimin n\u00eb BE si di\u00e7ka negative. Ndaj, procesi i integrimit n\u00eb Shqip\u00ebri nuk \u00ebsht\u00eb e nuk duhet t\u00eb paraqitet si projekt i nj\u00eb qeverie apo nj\u00eb partie, e as nuk duhet monopolizuar e trajtuar si i till\u00eb. E ardhmja europiane e Shqip\u00ebris\u00eb \u00ebsht\u00eb m\u00eb e madhe dhe m\u00eb e r\u00ebnd\u00ebsishme se \u00e7do parti politike, \u00ebsht\u00eb p\u00ebrtej nesh, p\u00ebrtej ngjyrave politike.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">2. Partia Demokratike e ka lidhur t\u00eb gjith\u00eb historin\u00eb e saj me vizionin europian.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">N\u00eb vitet \u201990, kam qen\u00eb pjes\u00eb e protestave t\u00eb student\u00ebve q\u00eb soll\u00ebn rr\u00ebzimin e diktatur\u00ebs m\u00eb t\u00eb eg\u00ebr. At\u00ebher\u00eb slogani ishte \u2018E duam Shqip\u00ebrin\u00eb si gjith\u00eb Europa\u2019. Ende sot ky \u00ebsht\u00eb slogani, pas m\u00eb shum\u00eb se 35 vitesh. Pra, ne si klas\u00eb politike kemi d\u00ebshtuar t\u00eb plot\u00ebsojm\u00eb \u00ebndrr\u00ebn e t\u00eb gjith\u00eb shqiptar\u00ebve dhe aktivitete si ky sh\u00ebrbejn\u00eb p\u00ebr t\u00eb reflektuar \u00e7far\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb si duhet e si mundet ta b\u00ebjm\u00eb m\u00eb mir\u00eb, e p\u00ebr k\u00ebt\u00eb na duhen m\u00ebsimet, eksperienca dhe mb\u00ebshtetja juaj.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Un\u00eb jam pjes\u00eb e Partis\u00eb Demokratike, tashm\u00eb n\u00eb opozit\u00eb, por jam krenare p\u00ebr at\u00eb q\u00eb PD ka b\u00ebr\u00eb gjat\u00eb qeverisjeve t\u00eb saj p\u00ebr k\u00ebt\u00eb proces: Marr\u00ebveshja e Stabilizim-Asociimit, liberalizimi i vizave dhe paraqitja e k\u00ebrkes\u00ebs s\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb p\u00ebr an\u00ebtar\u00ebsim n\u00eb Bashkimin Europian etj. Nuk kemi bllokuar kurr\u00eb asnj\u00eb reform\u00eb, ligj apo nism\u00eb q\u00eb lidhet me integrimin europian, si\u00e7 partia n\u00eb pushtet ka b\u00ebr\u00eb para se t\u00eb vinte n\u00eb pushtet. Kemi ende shum\u00eb p\u00ebr t\u00eb b\u00ebr\u00eb.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Disa muaj m\u00eb par\u00eb, votuam nj\u00eb rezolut\u00eb p\u00ebr procesin e integrimit europian, e para pas rreth nj\u00eb dekade, edhe pse e dinim se maxhoranca do ta keqp\u00ebrdorte politikisht , \u00a0sikurse edhe ndodhi. Shum\u00eb na akuzuan se kishim b\u00ebr\u00eb deal kur bashkuam votat me socialist\u00ebt \u2013 p\u00ebr hir t\u00eb integrimit. Megjithat\u00eb, vendos\u00ebm t\u00eb d\u00ebshmonim edhe nj\u00eb her\u00eb vullnetin ton\u00eb p\u00ebr k\u00ebt\u00eb proces e t\u00eb kontribuonim realisht n\u00eb miratimin e nj\u00eb rezolute q\u00eb, n\u00eb fakt, duhet t\u00eb mbante qeverin\u00eb dhe institucionet accountable p\u00ebr k\u00ebt\u00eb proces.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">4. Zgjerimi \u00ebsht\u00eb shnd\u00ebrruar n\u00eb nj\u00eb domosdoshm\u00ebri strategjike p\u00ebr vet\u00eb Bashkimin Europian.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Ne besojm\u00eb se integrimi europian mbetet garancia m\u00eb e mir\u00eb p\u00ebr paqen, sigurin\u00eb, stabilitetin dhe mir\u00ebqenien n\u00eb Ballkanin Per\u00ebndimor. Ne mb\u00ebshtesim integrimin e plot\u00eb n\u00eb BE dhe besojm\u00eb q\u00eb \u00e7do alternativ\u00eb tjet\u00ebr, integrim i pjessh\u00ebm, pa t\u00eb drejta t\u00eb plota, apo \u00e7do rrug\u00eb e shkurt\u00ebr q\u00eb mund\u00ebson p\u00ebrfitime nga tregu i p\u00ebrbashk\u00ebt, l\u00ebvizja e lir\u00eb apo politikat e tjera europiane pa p\u00ebrmbushur kriteret e Kopenhag\u00ebs, krijon hap\u00ebsir\u00eb p\u00ebr var\u00ebsi, paq\u00ebndrueshm\u00ebri, ndikime t\u00eb jashtme dhe tensione t\u00eb panevojshme.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\"><strong>T\u00eb dashur miq,<\/strong><\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">An\u00ebtar\u00ebsimi \u00ebsht\u00eb dhe duhet t\u00eb mbetet nj\u00eb proces i bazuar n\u00eb merit\u00eb. Doja t\u00eb kujtojm\u00eb s\u00eb bashku edhe nj\u00eb m\u00ebsim t\u00eb r\u00ebnd\u00ebsish\u00ebm nga historia e zgjerimit europian. Bashkimi Europian ka pranuar vende q\u00eb p\u00ebrballeshin me v\u00ebshtir\u00ebsi ekonomike. Ka pranuar vende q\u00eb kishin probleme me kapacitetet administrative apo me qeverisjen. Por nuk ka pranuar kurr\u00eb nj\u00eb vend pa nj\u00eb sistem demokratik funksional, apo nj\u00eb vend ku zgjedhjet jan\u00eb shnd\u00ebrruar thjesht n\u00eb fasad\u00ebn e nj\u00eb autokracie elektorale.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Pyetja q\u00eb lind sot \u00ebsht\u00eb: a duhet t\u00eb b\u00ebjm\u00eb kompromis me standardet demokratike?<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Zgjerimi \u00ebsht\u00eb instrumenti m\u00eb i fuqish\u00ebm reformues i Europ\u00ebs, por vet\u00ebm kur kusht\u00ebzimi zbatohet me rigorozitet. P\u00ebr k\u00ebt\u00eb arsye, grupkapitulli \u2018Themeloret\u2019 hapet i pari dhe mbyllet i fundit: pa zgjedhje t\u00eb lira, prokurime t\u00eb ndershme, gjyq\u00ebsor t\u00eb pavarur dhe institucione q\u00eb i n\u00ebnshtrohen ligjit, p\u00ebrparimi n\u00eb kapitujt e tjer\u00eb mbetet vet\u00ebm n\u00eb let\u00ebr.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Shqip\u00ebria u konsiderua se kishte p\u00ebrmbushur standardet e nd\u00ebrmjetme t\u00eb shtetit t\u00eb s\u00eb drejt\u00ebs, nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb Z\u00ebvend\u00ebskryeministrja ishte pezulluar nga Gjykata e Posa\u00e7me p\u00ebr kontrata mbi 200 mld euro dhe maxhoranca refuzoi heqjen e imunitetit t\u00eb saj.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">1. N\u00eb fush\u00ebn e zgjedhjeve, V-Dem e klasifikon Shqip\u00ebrin\u00eb si \u2018autokraci elektorale\u2019: zgjedhjet dhe opozita ekzistojn\u00eb formalisht, por integriteti zgjedhor, lirit\u00eb politike dhe barazia e gar\u00ebs jan\u00eb cenuar aq r\u00ebnd\u00eb sa qytetar\u00ebt nuk mund t\u2019i k\u00ebrkojn\u00eb realisht llogari pushtetit p\u00ebrmes vot\u00ebs. K\u00ebt\u00eb e konfirmoi edhe ODIHR-i, duke evidentuar munges\u00ebn e kushteve t\u00eb barabarta, keqp\u00ebrdorimin e burimeve shtet\u00ebrore, presionin ndaj administrat\u00ebs, blerjen e vot\u00ebs, nd\u00ebrhyrjen e krimit t\u00eb organizuar dhe shkrirjen e kufirit nd\u00ebrmjet partis\u00eb dhe shtetit. Kur k\u00ebto realitete shp\u00ebrfillen, zgjerimi pushon s\u00eb nxitur reformat dhe fillon t\u00eb mbroj\u00eb pushtetin.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Gjith\u00e7ka fillon me zgjedhjet. M\u00ebnyra se si do t\u00eb qeveriset nj\u00eb vend p\u00ebrcaktohet nga m\u00ebnyra se si organizohen zgjedhjet. Prej tyre varen demokracia, pluralizmi politik, p\u00ebrfaq\u00ebsimi dhe llogaridh\u00ebnia.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\"><strong>T\u00eb nderuar miq,<\/strong><\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Shqip\u00ebria mund t\u00eb ket\u00eb b\u00ebr\u00eb progres n\u00eb let\u00ebr, por n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb Shqip\u00ebria \u00ebsht\u00eb nj\u00eb shtet i kapur. Teknikisht mund t\u00eb mbyllet kapitulli i siguris\u00eb \u2013 praktikisht krimi i organizuar tek ne ka n\u00eb dor\u00eb edhe sh\u00ebrbimin sekret. Dhe jo sepse dashurohen dy njer\u00ebz. E ka sepse k\u00ebshtu ka dashur kryeministri.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">E kemi paralajm\u00ebruar q\u00eb n\u00eb 2023, edhe KR e PD, edhe G. Bardhi, edhe F. Mediu, edhe Flamur Noka, edhe Klevis Balliu. Ja kemi th\u00ebn\u00eb Ram\u00ebs n\u00eb parlament k\u00ebt\u00eb, disa her\u00eb q\u00eb nga dita e em\u00ebrimit. I kemi k\u00ebrkuar t\u00eb b\u00ebj\u00eb vetting t\u00eb posa\u00e7\u00ebm e t\u00eb b\u00ebj\u00eb transparenc\u00eb p\u00ebr parlamentin. Heshtje. Kjo s\u2019\u00ebsht\u00eb \u00e7\u00ebshtje shqiptar\u00ebsh, \u00ebsht\u00eb \u00e7\u00ebshtje e aleat\u00ebve t\u00eb NATO-s, \u00e7\u00ebshtje e siguris\u00eb europiane.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Edhe kapitulli p\u00ebr prokurimet apo ekonomin\u00eb konkurruese mund t\u00eb mbyllet teknikisht, por nga dosjet hetimore kemi par\u00eb sesi zv. kryeministrja paracaktonte tenderat. Tek nj\u00ebri kishte porosi nga kryeministri t\u2019ia jepte X kompanie, tek tjetri, anulluan bashk\u00eb me KM tenderin p\u00ebr t\u2019ia dh\u00ebn\u00eb kompanis\u00eb q\u00eb s\u00eb bashku e takuan n\u00eb Turqi \u2013 b\u00ebhet fjal\u00eb p\u00ebr Tunelin e Llogaras\u00eb, dmth. 50 milion\u00eb euro korrupsion vet\u00ebm me nj\u00eb tunel. Nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb akuzat zyrtare nga SPAK jan\u00eb p\u00ebr abuzim nga ish-zv.kryeministrja p\u00ebr tendera q\u00eb shkojn\u00eb rreth 1.2 miliard\u00eb euro.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Po ashtu, shqet\u00ebsues \u00ebsht\u00eb fakti q\u00eb maxhoranca po krijon ato q\u00eb do t\u2019i quaja shtresa t\u00eb mbrojtjes s\u00eb korrupsionit: ose me vot\u00eb n\u00eb Kuvend, si n\u00eb rastin e ish-zv. KM Balluku, ndaj t\u00eb cil\u00ebs SPAK kishte ngritur akuza p\u00ebr abuzime n\u00eb tendera rreth 1.2 bln euro dhe k\u00ebrkonte heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, por maxhoranca refuzoi me 82 vota kund\u00ebr. Ose me propozimet e b\u00ebra nga vet\u00eb kryeministri Rama, kreu i GR t\u00eb PS apo kryetari i Komisionit t\u00eb Ligjeve p\u00ebr nenin 242 t\u00eb KPP, p\u00ebr krijimin e superimunitetit ndaj kryeministrit, ministrave e disa funksionar\u00ebve t\u00eb tjer\u00eb.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Nj\u00eb tjet\u00ebr rast, i famshmi AKSHI \u2013 agjencia q\u00eb administron platform\u00ebn e-Albania dhe server\u00ebt shtet\u00ebror\u00eb, ku ruhen t\u00eb dh\u00ebnat e \u00e7do qytetari. Akuzat zyrtare ndaj drejtoresh\u00ebs dhe z\u00ebvend\u00ebsdrejtorit t\u00eb saj p\u00ebrfshijn\u00eb pjes\u00ebmarrjen n\u00eb nj\u00eb grup t\u00eb strukturuar kriminal. Sipas prokuroris\u00eb, ata paracaktonin fituesit e tender\u00ebve dhe devijonin dhjet\u00ebra milion\u00eb euro drejt dy biznesmen\u00ebve, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. Akuzat p\u00ebrfshijn\u00eb gjithashtu zhvatjen dhe marrjen peng. Vet\u00ebm 19 tender\u00eb kishin nj\u00eb vler\u00eb prej rreth 59 milion\u00eb eurosh. Agasi iu shmang arrestimit p\u00ebr tet\u00eb muaj. Kur u kap n\u00eb gusht, ai po udh\u00ebtonte me nj\u00eb ish-drejtues t\u00eb lart\u00eb vendor t\u00eb policis\u00eb. Beqiraj u arrestua n\u00eb Franc\u00eb, ku kishte bler\u00eb nj\u00eb k\u00ebshtjell\u00eb dhe kishte fluturuar me nj\u00eb avion t\u00eb leht\u00eb mbi nj\u00eb central b\u00ebrthamor.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">M\u00eb pas, m\u00eb 22 shtator, drejtuesja e sh\u00ebrbimit ton\u00eb t\u00eb inteligjenc\u00ebs, nj\u00eb institucion q\u00eb shk\u00ebmben informacione me aleat\u00ebt e NATO-s, u vendos n\u00eb arrest sht\u00ebpie. Ajo dyshohet se ka nxjerr\u00eb informacione sekrete dhe ka ndihmuar Agasin. Ish-drejtori i P\u00ebrgjithsh\u00ebm i Policis\u00eb s\u00eb Shtetit u mor n\u00eb pyetje si person q\u00eb mund t\u00eb konfirmonte elemente t\u00eb hetimit. Ky \u00ebsht\u00eb k\u00ebrc\u00ebnimi q\u00eb vjen nga Ballkani p\u00ebr sigurin\u00eb europiane: jo vet\u00ebm aktor\u00ebt e huaj, por edhe krimi i organizuar q\u00eb vepron nga brenda vet\u00eb shtetit.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Pastrimi i parave \u2013 edhe ky kapitull mund t\u00eb mbyllet me sukses t\u00eb madh, sepse ne kemi hartuar ligje n\u00eb p\u00ebrputhje me direktivat. Madje edhe mund t\u00eb duartrokiten n\u00eb progress-raport. Por realiteti \u00ebsht\u00eb ndryshe.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Nj\u00eb \u00e7\u00ebshtje q\u00eb, n\u00eb fakt, shum\u00eb diplomat\u00eb nuk kan\u00eb d\u00ebshir\u00eb ta d\u00ebgjojn\u00eb t\u00eb flitet, edhe pse ne e konsiderojm\u00eb si nj\u00eb problem madhor p\u00ebr Shqip\u00ebrin\u00eb, me pasoja shkat\u00ebrrimtare mbi demokracin\u00eb, ligjin, shoq\u00ebrin\u00eb dhe ekonomin\u00eb e vendit, por \u00ebsht\u00eb edhe problem europian e nd\u00ebrkomb\u00ebtar. Nga hetimet kemi par\u00eb sesi trafikant\u00ebt e kokain\u00ebs spastrojn\u00eb para n\u00eb resortet q\u00eb Edi Rama i nd\u00ebrton vet\u00eb. Pra, ne t\u00eb gjith\u00eb e dim\u00eb nga vijn\u00eb nj\u00eb pjes\u00eb e parave, vet\u00ebm Rama nuk e di dhe t\u00eb gjith\u00eb i han\u00eb kumbullat pas shpine.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Shqip\u00ebria \u00ebsht\u00eb sot eksportuesja kryesore e kanabisit n\u00eb Europ\u00eb. Kartelet shqiptare jan\u00eb nd\u00ebr transportuesit kryesor\u00eb t\u00eb kokain\u00ebs dhe nd\u00ebr aktor\u00ebt ky\u00e7 t\u00eb tregut t\u00eb saj europian. Ato kontrollojn\u00eb gjithashtu portet e vendit, t\u00eb cilat jan\u00eb shnd\u00ebrruar n\u00eb pika t\u00eb hapura tranziti p\u00ebr drog\u00ebn. Lidhjet e tyre shtrihen te policia, prokuroria dhe gjykatat, duke arritur deri te kreu i qeveris\u00eb.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Dy raste jan\u00eb ve\u00e7an\u00ebrisht dometh\u00ebn\u00ebse. N\u00eb janar 2019, zyrtar\u00eb dhe biznesmen\u00eb u d\u00ebrguan n\u00eb Aruba p\u00ebr t\u2019u takuar me bos\u00eb t\u00eb drog\u00ebs. Kryeministri priti gjithashtu Luftar Hys\u00ebn n\u00eb zyr\u00ebn e tij, nd\u00ebrsa m\u00eb pas Hys\u00ebs iu dhan\u00eb n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb paligjshme licenca p\u00ebr kazino dhe hotele me pes\u00eb yje. N\u00eb n\u00ebntor 2025, Departamenti Amerikan i Thesarit sanksionoi Hys\u00ebn dhe rrjetin e tij familjar p\u00ebr pastrimin e t\u00eb ardhurave nga trafiku i drog\u00ebs, me miratimin e kartelit Sinaloa.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">D\u00ebmi \u00ebsht\u00eb i duksh\u00ebm n\u00eb ekonomi. Euro dhe dollari jan\u00eb zhvler\u00ebsuar p\u00ebrkat\u00ebsisht me 32% dhe 35% ndaj lekut, m\u00eb shum\u00eb se kudo tjet\u00ebr n\u00eb bot\u00eb, duke goditur r\u00ebnd\u00eb eksportet. Sipas Eurostat-it, prodhimi industrial ka r\u00ebn\u00eb me 15,3%. Nd\u00ebrkoh\u00eb, nd\u00ebrtimi, kanali kryesor p\u00ebr pastrimin e parave t\u00eb drog\u00ebs, zhvillohet me nj\u00eb rit\u00ebm tri her\u00eb m\u00eb t\u00eb lart\u00eb se mesatarja e Bashkimit Europian.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Pasojat jan\u00eb po aq t\u00eb dukshme n\u00eb shoq\u00ebri. Sipas Eurostat-it, vet\u00ebm gjat\u00eb dekad\u00ebs s\u00eb fundit, mbi 1,09 milion shqiptar\u00eb kan\u00eb emigruar drejt zon\u00ebs Schengen. Duke p\u00ebrfshir\u00eb edhe destinacionet e tjera, \u00ebsht\u00eb larguar pothuajse gjysma e popullsis\u00eb. Numri i lindjeve ka r\u00ebn\u00eb n\u00eb nivele q\u00eb nuk ishin regjistruar prej nj\u00eb shekulli.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Mohimi i k\u00ebtij realiteti, me dashje ose jo, vet\u00ebm sa e mban at\u00eb n\u00eb k\u00ebmb\u00eb. Narkoshteti nuk mund t\u00eb \u00e7montohet as nga nj\u00eb grusht prokuror\u00ebsh. Ai k\u00ebrkon q\u00ebndrime t\u00eb qarta politike dhe masa konkrete kund\u00ebr regjimit.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Kush \u00ebsht\u00eb pasoja m\u00eb e r\u00ebnd\u00eb n\u00eb Shqip\u00ebri e narkoshtetit? Shoku demografik: sipas Eurostat-it, n\u00eb 10 vitet e fundit emigruan vet\u00ebm n\u00eb zon\u00ebn Schengen 1,099,000 qytetar\u00eb. N\u00ebse shtohen edhe ata q\u00eb kan\u00eb emigruar n\u00eb zona t\u00eb tjera, del se 47% e shqiptar\u00ebve jan\u00eb larguar nga vendi. Regjistri i Gjendjes Civile tregon se lindjet sot kan\u00eb r\u00ebn\u00eb n\u00eb nivelin e 100 viteve m\u00eb par\u00eb, kur Shqip\u00ebria kishte n\u00ebn 1 milion banor\u00eb.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Prej 118 dit\u00ebsh, qytetar\u00ebt protestojn\u00eb p\u00ebrpara godin\u00ebs s\u00eb qeveris\u00eb. Nj\u00eb resort i planifikuar n\u00eb nj\u00eb zon\u00eb t\u00eb mbrojtur ishte shk\u00ebndija, por nuk \u00ebsht\u00eb shkaku i v\u00ebrtet\u00eb i protest\u00ebs.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">K\u00ebrkesat e tyre jan\u00eb t\u00eb qarta: dor\u00ebheqja e Kryeministrit, krijimi i nj\u00eb qeverie kujdestare, zgjedhje t\u00eb lira dhe t\u00eb barabarta, si dhe p\u00ebrafrimi real i legjislacionit me acquis-n\u00eb e Bashkimit Europian.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Ata po k\u00ebrkojn\u00eb pik\u00ebrisht Themelet.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">P\u00ebrgjigjja deri tani ka qen\u00eb: kordone policore, autobot\u00eb me uj\u00eb dhe 151 referime penale.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Kosto e kapjes s\u00eb shtetit dhe kosto e korrupsionit jan\u00eb kosto p\u00ebr qytetar\u00ebt.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Dhe n\u00eb rastin ton\u00eb, kosto p\u00ebr qytetar\u00ebt shqiptar\u00eb dhe kosto p\u00ebr qytetar\u00ebt europian\u00eb. Ka nj\u00eb m\u00ebnyr\u00eb q\u00eb ne t\u2019u q\u00ebndrojm\u00eb besnik\u00eb qytetar\u00ebve tan\u00eb n\u00eb Tiran\u00eb, Berlin, Paris, Rom\u00eb, Bruksel: t\u00eb mos mb\u00ebshtesim m\u00eb nj\u00eb kryeminist\u00ebr q\u00eb bashk\u00ebqeveris me krimin e organizuar dhe ka kthyer korrupsionin n\u00eb sistem funksionimi t\u00eb shtetit.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Stabiliteti me nj\u00eb qeveri t\u00eb till\u00eb mund t\u00eb jet\u00eb nj\u00eb kompromis komod, por shqiptar\u00ebt dhe europian\u00ebt nuk i ndihmon Europa e kompromiseve, por Europa e vlerave, e liris\u00eb dhe demokracis\u00eb, e zgjedhjeve t\u00eb lira nga krimi dhe korrupsioni, Europa e konkurrenc\u00ebs s\u00eb lir\u00eb dhe t\u00eb ndershme.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\"><strong>Prandaj, konkretisht k\u00ebrkojm\u00eb:<\/strong><\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">1. Standardet p\u00ebrfundimtare duhet t\u00eb jen\u00eb t\u00eb detyrueshme dhe t\u00eb zbatueshme. Kompetenca e SPAK-ut p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar pezullimin e zyrtar\u00ebve duhet t\u00eb mbetet e paprekur. Rastet e AKSHI-t dhe SHISH-it duhet t\u00eb vler\u00ebsohen p\u00ebrpara mbylljes s\u00eb \u00e7do kapitulli tjet\u00ebr.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">2. Duhet t\u00eb k\u00ebrkohet nj\u00eb vler\u00ebsim i pavarur i d\u00ebmit t\u00eb mundsh\u00ebm n\u00eb sh\u00ebrbimin inteligjent, rezultatet e t\u00eb cilit duhet t\u00eb ndahen me aleat\u00ebt.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">3. Zgjedhjet e lira dhe t\u00eb barabarta duhet t\u00eb trajtohen si nj\u00eb standard themelor, jo si nj\u00eb sh\u00ebnim an\u00ebsor i procesit.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">4. Rekomandimet e ODIHR-it duhet t\u00eb shnd\u00ebrrohen n\u00eb standarde detyruese t\u00eb procesit t\u00eb integrimit.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">5. Duhet t\u00eb k\u00ebrkohet nj\u00eb auditim i pavarur, n\u00eb bashk\u00ebpunim me MONEYVAL-in, i flukseve financiare q\u00eb hyjn\u00eb n\u00eb sektorin e pasurive t\u00eb paluajtshme dhe t\u00eb nd\u00ebrtimit.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">N\u00ebse shp\u00ebrblejm\u00eb numrin e kapitujve dhe jo p\u00ebrmbajtjen e reformave, zgjerimi nuk do t\u00eb eksportoj\u00eb stabilitet.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Europa u nd\u00ebrtua mbi lirin\u00eb, demokracin\u00eb, barazin\u00eb para ligjit dhe kufizimin e pushtetit. N\u00ebse k\u00ebto vlera relativizohen n\u00eb em\u00ebr t\u00eb \u2018stabilitetit\u2019, at\u00ebher\u00eb Europa nuk do t\u00eb jet\u00eb as m\u00eb e fort\u00eb, as m\u00eb e sigurt. Sepse forca e saj nuk ka ardhur kurr\u00eb nga tolerimi i autokracis\u00eb, por nga mbrojtja e lirive q\u00eb e dalluan nga regjimet autoritare t\u00eb shekullit t\u00eb kaluar.<\/p>\n<p class=\"wp-block-paragraph\">Faleminderit.<\/p>\n","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>Integrimi europian i Shqip\u00ebris\u00eb nuk mund t\u00eb p\u00ebrdoret si fasad\u00eb p\u00ebr t\u00eb fshehur kriz\u00ebn e demokracis\u00eb, dob\u00ebsimin e shtetit t\u00eb s\u00eb drejt\u00ebs dhe kapjen e institucioneve. N\u00eb fjal\u00ebn e saj n\u00eb konferenc\u00ebn nd\u00ebrparlamentare t\u00eb zhvilluar n\u00eb Tiran\u00eb nga Kuvendi i Shqip\u00ebris\u00eb, n\u00ebnkryetarja e Komisionit t\u00eb Jasht\u00ebm n\u00eb Kuvend, Albana Vokshi, denoncoi at\u00eb q\u00eb opozita e &hellip;<\/p>\n","protected":false},"author":4,"featured_media":154959,"comment_status":"closed","ping_status":"closed","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[37],"tags":[],"class_list":["post-154962","post","type-post","status-publish","format-standard","has-post-thumbnail","","category-politike"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/154962","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/users\/4"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=154962"}],"version-history":[{"count":1,"href":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/154962\/revisions"}],"predecessor-version":[{"id":154963,"href":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/154962\/revisions\/154963"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=154962"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=154962"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/rdnews.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=154962"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}