Kryetari i PD, Sali Berisha, në fund të fjalës së tij me demokratët në Berat u ndal edhe te vota e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke i bërë thirrje demokratëve që të shumëfishojnë votat për PD-në.
Berisha tha se, secili prej jush mund të shumëfishojë votën e tij me vëllezërit dhe motrat tona në emigracion! Le t’i ndihmojmë të regjistrohen.
Berisha: Na përket ne, të takohemi me çdo burrë, grua, të ri, të re, pensionist, pensioniste dhe t’i themi se tre muajt e parë në pushtet, së pari ne do vendosim minimumin jetik.
Kjo do të thotë që të gjithë ata, të cilët në Shqipëri marrin nën 200 euro pension, gjysmëpension ose nuk kanë pension fare, ose ndihmë ekonomike, në krye të tremujorit do marrin 200 euro pa përjashtim.
Ne do përmbysim shpërndarjen e pashpirt të të ardhurave në këtë vend. Do u japim përparësi absolute qytetarëve.
Kjo do të thotë se çdo pensionist, çdo qytetar me rrogë minimale, çdo njeri i papunë, çdo njeri në ndihmë ekonomike do ketë kartën e konsumatorit, me të cilën do marrin TVSH-në e të gjitha produkteve bazë që blejnë në dyqan.
Sa është kjo? Tre pensione. Kjo është tre pensione. Pra, një pensionist që merr 200 euro do marrë edhe tre pensione të tjera me rikthimin e ushqimeve. Po, është e domosdoshme kjo.
Tjetër, energjinë elektrike. Çfarë bëri zotëria? Ky del aty me mendjen e Lubisë dhe u thotë shqiptarëve se hera e parë në histori që ulet çmimi i energjisë.
Çmimi i energjisë në vitin 2013 ka qenë 77 lekë për 300 kilovatët e parë. Dhe nga kjo përfitonin 78 përqind e familjeve shqiptare.
Çmimi i energjisë, të dashur biznesmenë, ka qenë 60 lekë për kilovat.
Çfarë bëri ky? Fashon e parë e rriti në 95 lekë, tjetrën e çoi në 118 lekë. Dhe e bëri për një vit vetëm. Për një vit, nga llogaritë del se ai u ka falur qytetarëve gjithsej 30 milionë euro. Po për 10 vite që u mori shqiptarëve çmim shtesë rreth 580 milionë euro?
Pra, ky bamirës që del e flet dhe nuk di ç’flet se mendon se shqiptarët hanë bar, ky u thotë, po u jap 30 milionë, pa u mora 600 milionë.
Jo, kjo nuk do ndodhë. Ne do proporcionojmë çmimin e energjisë me pensionet dhe rroga. Do përfitojnë rrogat e mesme dhe poshtë, asnjë rrogë e lartë nuk do përfitojë. Pse? Nuk kemi armiqësi ne me rrogat e larta. Po këta çfarë bënë? Këta i rritën rrogat njëlloj si rrogat në diktaturat staliniste. Presidenti i Edi Ramës dhe Edi Rama kanë rroga 10 herë më të mëdha se rroga mesatare.
Pra, këta nuk është se nuk rritën rrogat, por këta rritën rrogat e larta dhe nuk çanë kokën për rrogat e ulëta.
Pra, ulemi me secilin beratas, pavarësisht se a ka votuar apo jo për ne, por u garantojmë je se shumicën e atyre që do takoni, me këtë paketë do t’i ktheni, do t’i bëni bashkëautorë të fitores së ardhshme.
Le t’i bien kryq e tërthor viteve të qeverisjes së PD, kurrë nuk do gjeni një premtim të bërë për rroga dhe pensione të pambajtur nga qeveria e PD.
Dhe u garantoj se këto që kemi shpallur janë me një rezervë sepse ne do i tejkalojmë dhe vrapi ynë ndalet vetëm kur të dalim në krye për rrogat dhe pensionet ndër vendet e rajonit.
E fundit, fitorja prapë është në duart tuaja.
Është në duart tuaja sepse kësaj here secili nga ju, secili nga ne, e ka të mundshme pothuaj ta trefishojë, ta dyfishojë, ta katërfishojë votën e tij me vëllezërit dhe motrat tona në emigracion.
Asgjë nuk është më bindëse se letrat tuaja, se telefonatat tuaja ndaj tyre, se ftesat tuaja që ata të kontribuojnë së bashku me ju, të bashkoheni me ne në shpëtimin e Shqipërisë nga ky regjim, i cili thotë e ngjitëm Shqipërinë, por përgjysmoi popullatën më keq se në çdo pushtim që ka njohur Shqipëria.
Fitorja është e tëra në duart tuaja.
Iu ftoj që aq sa vlerësoni votën tuaj, aq sa vlerësoni votën e fqinjit, mikut që njihni, po kaq të vlerësoni votën e qytetarit që është në emigracion.
Një rast i rrallë për ne që të shkojmë në zgjedhje secili me 3 vota, 4 vota nga vëllezërit dhe motrat tona në emigracion.
Ndaj të fillojmë që nesër me telefonata, me letra, me çdo gjë, t’i ndihmojmë të regjistrohen, t’i ftojmë të regjistrohen, të ecim së bashku në fitoren më të thellë.
Parti e të pamundurave, parti e fitores.
Rrofshi ju, rroftë Berati, rroftë Shqipëria!