Qytetarët e Tiranës u mblodhën sërish këtë të premte para Bashkisë, duke vijuar protestat kundër kryebashkiakut Erion Veliaj. Protestuesit kërkuan dorëheqjen dhe përballjen e tij me drejtësinë, duke e akuzuar për përfshirje në aferën e inceneratorëve dhe skandalet me kompaninë “5 D”.
Gjatë tubimit, mjeku logoped Erges Eskiu mbajti fjalën e tij, duke i bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në përpjekjen për të çliruar Tiranën nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi. Ai denoncoi situatën kaotike në qytet, ku trafiku, mungesa e parqeve dhe shërbimet e dobëta janë pasojë e vjedhjeve masive të fondeve publike.
“Ne nuk ndalemi dhe do t’i çojmë prapa hekurave të gjithë. Qoftë Erion Veliajn, qoftë Belinda Ballukun, qoftë Edi Ramën.
Qytetarë të Tiranës, bashkohuni me ne! Bashkohuni në këtë protestë që do të çlirojë më në fund Shqipërinë nga këta plehra.
Kjo është një protestë për të çliruar Tiranën nga hajdutët, nga gjakpirësit që kanë vjedhur 100% taksat tona.
Selaniku ndërton me 1.3 miliardë euro metro për të gjithë qytetin; këta kanë vjedhur 4 miliardë euro nga Bashkia e Tiranës dhe trafiku është një tmerr në Tiranë. Kopshtet mungojnë, parqe publike nuk ka, fëmijët nuk kanë ku të qëndrojnë e ku të luajnë.
Janë taksat tona që vidhen ndër vite, ndërkohë që këta plehra kërkojnë 200 milionë euro për ujin, kur në qendër të Tiranës mbushet ujë me botë. Sepse kanë vjedhur këta plehra që erdhën nga rruga, të paveshur e të palarë, e tani hanë biftek 1 mijë euro”, tha ai.
Gazeta RD