Dështim i plotë me investitorët e huaj strategjikë

Nga Bujar LESKAJ

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, erdhi dje ne Kuvend jo nga ministri përgjegjës, por nga një deputet i shumicës, si një përpjekje e dëshpëruar e sektit Rama, për të mos bërë transparencë mbi mbarëvajtjen e investimeve të huaja dhe vendase me rëndësi themelore për ekonominë tonë.

Projektligji kaloi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe u miratua po dje në seancë plenare pa debat, duke shfrytëzuar mungesën e deputetëve të opozitës, për t’iu shmangur përgjegjësisë së lënies së vendit pa investues strategjikë të huaj dhe pa kompani ndërkombëtare me emër dhe prestigj.

Në gjashtë vjet nga dalja e këtij ligji ne vitin 2015, ekonomia e vendit nuk ka përfituar nga prania e investuesve të huaj me emër dhe të pozicionuar strategjikisht, ndryshe nga kontratat e lidhura në vitet 2007-2008, kur në Shqipëri nisën të ndërtoheshin gazsjellesi TAP dhe hidrocentralet e gjigandit norvegjez Staatkraft.

Në të kundërt, në vitet 2016-2021, kemi një ligj për investimet strategjike, maskim i përdorur nga sekti Rama në qeverisje, për të favorizuar kompanitë vendase beniamine të tij, gjoja në emër të investimeve stratregjike në turizëm, por në fakt, duke u grabitur tokat banorëve të Jugut të Shqipërisë.

Në vitet 2017-2021, janë zhvilluar me dhjetëra tendera publikë me vlerë mbi 2.8 miliardë euro dhe janë dhënë me koncesion të formës PPP me dhjetëra kontrata për infrastrukturën dhe shfrytëzimin e pasurive të nëntokës shqiptare. Me përjashtim të 3-4 rasteve të veçanta, në listën prej 31 “investuesish strategjikë” nuk rregjistrohet prania e investuesve të huaj të mëdhenj dhe me emër, por vetëm e kompanive vendase të ndërtimit, kliente të Ramës dhe e kompanive të huaja partnere me to, të rregjistruara në parajsat fiskale.

Tek ne ekziston një klimë biznesi e përkeqësuar në vijimësi, që vetëm i dekurajon dhe i largon nga Shqipëria investuesit e huaj seriozë dhe strategjikë. Ata shohin tek ne një treg të mbyllur dhe të manipuluar nga sekti qeverisës, ndërkohë që kërkojnë konkurrencë të drejtë dhe rregulla të qarta loje, garanci të plota mbi sigurinë e investimit dhe një politikë të qëndrueshme fiskale nga qeveria.

Përkeqësimi i klimës së të bërit biznes në Shqipëri është dëshmuar në mënyrë të përsëritur nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit(DASH), në vitet 2017, 2018, 2019, 2020 dhe 2021. Në raportin për vitin 2021 (https://ëëë.state.gov/…/2021-investment…/albania/) , DASH shprehet se investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, konkurrencën e pandershme, informalitetin, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave, si probleme të vazhdueshme në Shqipëri.

DASH po ashtu përmend edhe përdorimin në rritje te kontratave të partneritetit publik privat (PPP), si një faktor që ka zvogëluar mundësitë për konkurrencë, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. “Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë nga SHBA janë përballur me mosmarrëveshje tregtare si me ente publike dhe private, duke përfshirë disa që përfunduan në arbitrazh ndërkombëtar”, deklaron Raporti i DASH mbi Klimën e Investimeve (faqe 7. https://ëëë.state.gov/…/2021-investment…/albania/).

Për këto arësye, sipas edhe cilësimit të gazetares së Rrjetit investigativ Birn, Blerina Gjoka, Kuvendi, pa praninë e deputetëve të opozitës, e kaloi “vjedhurazi” ligjin për zgjatjen e afatit të ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

About Redaksia

Check Also

SPAK po heton Trumpin? Për çfarë e pyetën në SPAK Këlliçin?

Ish-kandidati për kryetar bashkie të Tiranës, aktualisht drejtues politik i PD-së për këtë qark Belind …

Leave a Reply