Një konservator në primaret e Vlorës

Nikola KEDHI

Në Primaret e Partisë Demokratike, me Demokratët, për Vlorën

Vlora është qyteti që unë dua – këtu kam rrënjët e mia, jam lindur e rritur. Vlora është qyteti im, qyteti ynë, dhe ajo meriton që ne të bëjmë së bashku më shumë për të.

Vlora dhe Shqipëria sot janë në udhëkryq. Vendi rrezikon asgjësimin. Vlora rrezikon të humbasë në mënyrë të pakthyeshme identitetin e saj, kulturën, traditën, rininë, mundësitë ekonomike e të zhvillimit, shërbimet e shëndetit apo ato të arsimit. Mungesa e infrastrukturës, mungesa e mundësive për të punuar është realitet i dhimbshëm, pa lenë mënjane të ardhurat e pamjaftueshme për të jetuar te pensionisteve, apo sulmin që i bëhet trashëgimisë kulturore. Qyteti ynë po kthehet dita ditës në një vend që asnjë prej nesh nuk e njeh. Të gjithë ne e shohim këtë realitet, çdo ditë. E kemi ne në dorë ta shpëtojmë qytetin tonë!

Vlora, qyteti që qëndron në zemër të historisë së Shqipërisë, sot është hija e asaj që duhet të ishte dhe duhet të jetë. Shpërthimi i korrupsionit në ndërtim ka krijuar kaos dhe një mungesë të hapësirave publike, duke kompromentuar cilësinë e jetesës dhe identitetin urban të Vlorës. Mungesa e një sistemi efikas riciklimi dhe trajtimi ka çuar në grumbullimin e mbetjeve dhe ndotjen mjedisore, duke ndikuar negativisht si në banorët ashtu edhe tek vizitorët. Mungesa e projekteve afatgjata dhe të qëndrueshme te zhvillimit ka ndikuar në krijimin e pak mundësive punësimi dhe në varësinë e përjetshme nga turizmi sezonal. Kjo pengon diversifikimin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

Sot, para nesh kemi një zgjedhje historike: do të vazhdojmë të qëndrojmë të nëpërkëmbur nga padrejtësitë dhe keqqeverisja, apo do të marrim në dorë fatin tonë? Do të lejojmë që pronat të mbeten në duart e pak njerëzve, që rinia të largohet, që qyteti ynë të mbetet pa ekonomi dhe pa zhvillim, apo do të luftojmë për të rikthyer të drejtën, lirinë dhe dinjitetin e vlonjatëve?

Ne jemi Vlonjatë, nuk dorëzohemi!

Vlora është e djathtë – nuk kam pikë dyshimi për këtë. Dhe Vlora kërkon të përfaqësohet nga të djathtë në mënyrë dinjitoze dhe me një punë të palodhur.

Unë kërkoj besimin e demokratëve, qëndrestarëve të vërtetë të këtij vendi për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, jo si një kërkesë e imja, por si një nevojë për të ngritur zërin për përfaqësimin e të përndjekurve politikë dhe pronarëve legjitimë, të cilët prej dekadash presin drejtësi dhe kërkojnë dinjitet. Nuk do të ketë Vlorë të lirë pa të drejtat e tyre të garantuara!

Kërkoj besimin tuaj për të përfaqësuar rininë e këtij qyteti që ka aq shume potencial që pret të çlirohet, për ata që sot nuk shohin më shpresë, që shohin rrugën e emigracionit si të vetmen zgjidhje. Por ka një zgjidhje tjetër: një ekonomi e fortë, taksa të ulëta, mundësi punësimi, një arsim cilësor dhe një shtet që nuk i trajton qytetarët si pengje të burokracisë dhe korrupsionit.

Unë kërkoj besimin tuaj për të përfaqësuar shtresën e mesme, sipërmarrësit, profesionistët, punëtorët e ndershëm, familjet që punojnë dhe sakrifikojnë çdo ditë. Ata nuk kërkojnë lëmoshë nga shteti, por një shtet që nuk i pengon! Unë dua që ata të kenë një përfaqësues që e kupton ekonominë, që di si funksionon tregu, që do të luftojë për t’i dhënë frymëmarrje biznesit dhe mundësi zhvillimi qytetit tonë. Prej gjashtë vitesh jam marrë me sipërmarrjet shqiptare, duke arritur në nivelet më të larta të menaxhimit të një kompanie ndërkombëtare me qindra mijëra punonjës në të gjithë botën, që ka të ardhura sa buxheti i Shqipërisë. Unë ju garantoj se taksat që ju – dhe ne të gjithë – heqim nga xhepi do kenë një garant dinjitoz nesër në Parlament, dhe sipërmarrjet të gjithë ndihmën e mundshme për të ecur përpara.

Unë vij nga një brez i ri që nuk ka qenë kurrë pjesë e së keqes, por që e ka përjetuar pasojën e saj. Vij nga disa eksperienca ndërkombëtare që më kanë dhënë aftësinë dhe njohuritë për të çuar përpara këtë betejë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare, qoftë si pjesë e Sekretariatit për Marrëdhëniet me Jashtë, dhe e departamentit Brain Gain, apo si drejtues i Institutit Konservator Shqiptar.

Nga bashkëpunimi i vazhdueshëm me Fondacionin Heritage pranë administratës së Presidentit Trump, te deputetë britanikë, italianë, eurodeputetë të vendeve të ndryshme, në pozicione kryesore në Parlamente apo Europarlament, te bashkëpunimi i suksesshëm me media kryesore botërore si Fox News, Newsmax, Il Giornale , kam punuar me politikanë dhe institucione ndërkombëtare, kam ndërtuar lidhje me media, think tank-e dhe personalitete të rëndësishme që do t’i mundësojnë Vlorës nje lidhje direkte me jashtë për çdo problem më pak, apo çdo mundësi më shumë për të.

Vlora do të jetë kryefjala ime dhe kudo ku unë do jem prezent.
Sot elektorati shqiptar nga politika kërkon njerëz të rinj. Ata janë pjesë aktive në Partinë Demokratike.

Si demokratë, jepuni një shans të rinjve që shqiptarët më pas t’i japin një shans PD-së.

Demokratët janë këmbëngulje, janë forcë, frymëzim, janë puna e ndershme, duart e pastra dhe ana e drejtë e historisë. Në Parlament duhet dikush qe e vlerëson këtë, dhe ndërton së bashku me punën e palodhur dhe eksperiencën e jashtëzakonshme të demokratëve dhe drejtuesve të tyre në qendër dhe në degë, për të sjellë një energji të re dhe për të garantuar që sakrificat e tyre të mos shkojnë dëm. Sepse e djathta është bashkim vlerash, përvojash dhe breza që ecin përpara së bashku.

Partia Demokratike sot ka një vizion të qartë për Vlorën dhe Shqipërinë, dhe jam krenar që kam dhënë kontributin tim për Doktrinë Konservatore të Partisë dhe për programin e saj elektoral:
– Një ekonomi të fortë, me taksa të ulëta dhe mbështetje për prodhimin dhe eksportin.
– Një sistem drejtësie që garanton të drejtat e njeriut dhe ndëshkon korrupsionin.
– Një Shqipëri që lufton shpopullimin dhe investon në familjen dhe rininë.
– Një Vlorë që bëhet qendër e turizmit dhe tregtisë në Mesdhe, me investime strategjike që sjellin punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm.

E di që nuk është e lehtë. E di që përpara nesh kemi një regjim të korruptuar që ka përdorur çdo mjet për të shkatërruar opozitën dhe për të mbytur shpresën. Por unë besoj se Vlora ka forcën për të ndryshuar. Ndryshimi fillon nga ne!

Jam këtu sepse besoj se Shqipërinë do e rindërtojnë patriotët, njerëzit e ndershëm, ata që punojnë, ata që nuk dorëzohen. Unë besoj tek Vlora si zemra e këtij ndryshimi. E di që nëse ne së bashku u ofrojmë qytetarëve nje alternativë, nje besëlidhje për nje vizion optimist, realist për një Shekull Shqiptar, me ekipin e duhur që ata mezi e presin dhe me besimin në Zot, ne do fitojmë ne 11 maj.

About Krye Redaktor

Check Also

LaCivita: Si mundet miku i Soros, Edi Rama korruptoi Charls McGonigal!

Njeriu që riktheu Dondal Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ka premtuar se do çojë …