Kryetari i PD, Sali Berisha ka deklaruar se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij ndodhen në një situatë të rëndë pas zhvillimeve të fundit lidhur me skandalin McGonigal. Sipas Berishës, shqetësimi ka përfshirë jo vetëm Ramën, por edhe ministrat dhe zyrtarët vendorë, të cilët, sipas tij, mund të cilësohen si “grupi McGonigal i Shqipërisë”.
“Rama është i shqetësuar shumë. Janë të shqetësuar i gjithë grupi i ministrave, qeveritarëve vendorë, që mund ta quajmë në kuptimin e plotë të fjalës, grupi McGonigal i Shqipërisë.
Ata tendencën e kanë pa përjashtim të fajësojnë Edi Ramën sepse ata thonë se personin në fjalë e ka paraqitur, dhe ne e kemi trajtuar me porosi të Edi Ramës, dhe sipas kërkesave të Edi Ramës.
Mirëpo famëziu McGonigal është një pus i zi që gurgullon dhe nxjerr vazhdimisht dhe kësaj radhe, sipas të dhënave, grupi shqiptar i McGonigal me në krye Edi Ramën, nuk do mund t’i shpëtojë ligjit amerikan, se ligjin shqiptar që ka Dumanin, i cili do të thotë, siç tha për Olsin që nuk ishte Olsi personi i paidentifikuar, do të thotë për Edin se nuk ishte Edi që i dërgoi paratë McGonigalit”, tha Berisha.
Gazeta RD