Arsimi i “Rilindjes” përmbi varret e Irsës dhe Martinit

Nga Lili SULA

Arsimi shqiptar nga turpi i analfabetizmit ka kaluar ne një stad shumë të dhimbshëm: ai po përgjaket me histori konfliktesh, aksidentesh, vrasjesh e vetëvrasjesh të vijueshme; arsimi i fëmijëve tanë ka shënuar rekordet më të zeza të historisë, por asnjë institucion nuk ndjehet e nuk shprehet e aq më pak të mbajë përgjegjësi.

Klima e dhunës dhe bullizimit ka shënuar një zinxhir ngjarjesh shumë të rënda në arsimin parauniversitar publik dhe jopublik. Goditja me thikë e 17 vjeçarit në shkollën “Gjergj Kastrioti”, në fshatin Baz të Matit gjatë orës së Fizkulturës me pasoja të rënda, pason konfliktin mes dy bashkëmoshatarëve të shkollës së mesme Cakran nw Fier, ku dy 17 vjeçarët u plagosën me mjete prerëse.

Këto ngjarje kulmojnë në tragjedinë e Gjirokastrës ku gjimnazistja 17 vjeçare, Irsa M. nxënëse e shkollës Siri Shapllo, i dha fund jetës, sipas të dhënave në media, për shkak të bullizimit nga mjedisi shkollor, sepse ishte e varfër. Ngjarja e kobshme e Gjirokastrës pason atë të 15-vjeçarit Martin C. në një hark kohor në më pak se tre muaj duke i ngulur thellë vulën e zezë të turpit strukturave drejtuese të  ministrisë së Arsimit dhe ministres O. Manastirliu, dhe duke shënuar përfundimisht kalbjen dhe dekompozimin e një sistemi të tërë.

Izolimi dhe ankthi që ndjente Irsa, të shprehura në letrën para se t’i jepte fund jetës: ‘’O Zot, përse po vuaj kështu vallë? Unë jam kjo që jam dhe miqtë dhe shokët kërkoj të më respektojnë. Por ata tallen me mua. Unë ndihem kaq e vetmuar në vetminë time. Nuk më vjen turp për veshjen time. Kaq mundësi kanë prindërit e mi… Po përse u dashka të jem kaq e veçuar? Ku të ankohem? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ia hap zemrën time? Tek askush nuk kam besim….’’ janë akuzë e fuqishme ndaj shtetit dhe shoqwrisw.

Asnjë prononcim institucional dhe, si në raste të tjera, asnjë shprehje apo mbajtje përgjegjësie nuk pati për ikjen nga kjo jetë të gjimnazistes nga Gjirokastra.

Asnjë reagim nga institucionet e arsimit as për shuarjen e jetës në moshë 20 vjeçare të studentes Megi Xh. në aksident rrugor, aksident për të cilin mediat njoftojnë se në segmentin rrugor fatal është derdhur vaj qëllimshëm për të ndodhur aksidente.

Masat e vetme janë fotot dhe regjistrimet entuziaste mediatike për të qarkulluar qindra herë në rrjete sociale.

Heshtja e diktuar nga O. Manastirliu për të mos reaguar për ngjarje të mynxyrshme, si për rastin e shkollës Fan Noli edhe për këtë të Gjirokastrës, nuk kursen as dhimbjen e vrasjes së adoleshentëve, duke  shtypur ngjarje kaq të rënda qe as në vendet e botës së tretë nuk ndodhin të tilla, kaq fatale dhe kaq të përsëritura.

Sot fëmijët tanë mbushin sallat e kuvendeve të rilindjes, ndërkohë që, mjediset e shkollave bëhen gjithnjë e më të pasigurta; me rritje të theksuar të numrit të nxënësve të përfshirë në konflikte me pasoja të rënda fizike dhe psikologjike. Shkolla jonë nuk ofron mbështetjen e duhur psikologjike dhe programe këshillimi, duke mos identifikuar dhe adresuar problemet emocionale dhe sociale që përkeqësohen me kalimin e kohës. Nga ana tjetër, nxënësit e perceptojnë si masë ndëshkuese dhe disiplinore shërbimin psikosocial duke shenjëstruar kështu mungesën e profesionalizmit të trupës mësimore dhe administrative.

Ekspertët e arsimit të testimit PISA më 2022 kanë theksuar rritjen e nivelit të konfliktualitetit në shkolla, të dhunës fizike mes nxënësve, të bullizmit, por ende asnjë masë nuk është marrë që shkolla të sigurojë qëndrim të sigurt dhe miqësor për nxënësit dhe bashkëjetesë të paqtë mes tyre.

Këto ngjarje e të tjera denoncime bëjnë të qartë për qytetarët që Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe strukturat në varësi të saj po shkelin më këmbë të drejtat e fëmijëve të cilat mbrohen nga  Konventa ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijës, neni 3., ku shprehet se ‘’Shtetet Palë marrin masa që institucionet, shërbimet dhe qendrat që përgjigjen për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve të veprojnë në përputhje me normat e caktuara nga autoritetet kompetente, veçanërisht në fushën e sigurisë, të shëndetit, të numrit dhe aftësive të personelit të tyre si dhe të kontrollit të duhur.’’

Gjithashtu, Ligji për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, Neni 18, pika g, përcakton shprehimisht përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit e të strukturave arsimore parauniversitare që ‘’të ngrenë mekanizma efikase për parandalimin, trajtimin brenda shkollës dhe raportimin tek autoritetet përgjegjëse të situatave të dhunës, duke përfshirë edhe ato ndërmjet vetë fëmijës brenda shkollës (bullizmi).’’

Këta mekanizma rezultojnë të jenë fals, asesi efikasë.

Shtrohen pyetjet: Kush e monitoron shërbimin psiko-social dhe a ka ndonjë raport mbi punën e deritanishme, që ndryshe, do të thotë: pse numri i punonjësve mbështetës është rritur nëpër shkolla, ndërsa  dhuna, konfliktet e bullizimi vetëm shtohen?

Kontrolli i Lartë i Shtetit ndodhet aktualisht në MAS dhe AKAP për verifikimin e performancës së oficerëve të sigurisë në shkolla, ndaj i bëj thirrje që të ushtrojë detyrën e tij me përgjegjësi të lartë dhe paanshmëri, pasi pesha dhe roli i oficerëve te sigurisë është vendimtare në mbrojtjen e të drejtave te fëmijëve.

Gjithashtu i bëj thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të verifikojë edhe emërimet politike pa konkurs dhe procedurë të stisura nën petkun e ristrukturimit, që janë bërë në Zyrat vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP) dhe drejtoritë arsimore rajonale në rrehet Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë,  Korçë të deklaruara publikisht nga Partia Demokratike më 1 shkurt 2025.

Arsimi shqiptar po shkon në humnerë gjatë këtyre viteve dhe institucionet përgjegjëse vetëm sa i kanë përligjur kobet e humbjes së jetëve të nxënësve e të rinjve dhe rezultatet dërrmuese të testimeve ndërkombëtare.

Arsimi ynë e ka humbur misionin thelbësor të edukimit dhe formimit të qytetarëve të ardhshëm duke mos i përgatitur ata për jetën, për të menduar në mënyrë alternative, duke mos i aftësuar për tregun e punës, por duke investuar në dearsimimin e nxënësve – ndaj sot 47 % e nxënësve shkruajnë e lexojnë me vështirësi. Dhe dihet, se diktaturat dhe shtetet autokratike, përpos sofistikimit të propagandës i kushtojnë vëmendje errësimit të mendjes së fëmijëve e popullit, shtypja e të cilëve do t’u kthehet shumë shpejt në uragan.

About Redaksia

Check Also

Nga loti te lotët…

Nga Lutfi DERVISHI Dikur, në kohët e moçme, para vitit të largët 2013, inaugurimi bëhej në …