Kryetari i PD, Sali Berisha, në konferencën për media theksoi një nga problemet më të ndjeshme dhe të rëndësishme për shoqërinë shqiptare: gjendjen e pensionistëve. Ai theksoi se pas 12 vjetësh, pensionistët shqiptarë janë përballur me ulje drastike të pensioneve, duke u katandisur në nivele më të ulëta se çdo vend tjetër në rajon.
Berisha akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për një trajtim të papranueshëm dhe cinik ndaj kësaj kategorie të rëndësishme.
“Sot përsëri do ndalem tek njëri nga problemet më të mprehta, por edhe më të dhimbshme qëpërjeton shoqëria shqiptare, gjendja e pensionistëve në Shqipëri.
Sot, pensionistët shqiptarë, të cilët 12 vite më parë merrnin pensionet më të larta se të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshi Rumaninë e Bullgarinë, janë katandisur me pensionet jo më të ulëta, por 2-3 herë më të ulëta se sa të vendeve të rajonit.
Qëndrimi ndaj pensionistëve shqiptare ishte një qëndrim në kufijtë e çnjerëzisë dhe poshtërimit.
Pensionistëve, të cilëve me ligj u takonte indeksimi, nuk iu është indeksuar as gjysma e inflacionit të këtyre viteve. Por ata kanë marrë edhe një tjetër goditje të fortë. Goditja tjetër e rëndë është se një pjesë e mirë e barnave janë hequr nga lista e rimbursimit, të domosdoshme për mjekimin e tyre të përditshëm.
Së fundmi, qindra mijëra pensionistë kanë pasur një mbështetje nga fëmijët e tyre, familjarët e tyre jashtë vendit. Remitancat kanë pësuar një zhvlerësim në masën 35-40 përqind.
Edi Rama ka ndjekur një politikë cinike dhe mashtrimi ndaj pensionistëve.
Pasi iu mbajti kompensimin e 6 muajve të vitit të kaluar për t’ua paraqitur si bonus në dhjetor, ai ndau për buxhetin e shtetit të vitit 2025 gjithsej 16 milionë për indeksimin e tyre.
E vërteta është që 16 milionë nuk indeksojnë më shumë se 40 përqind të inflacionit vjetor të këtyre qytetarëve.
Edi Rama ndërmori një fushatë mashtrimesh të paskrupullta ndaj pensionistëve. I tillë ishte mashtrimi se për pensionet e tyre të ulëta, fajet i kanë biznesmenët.
Gropën më të madhe në fondin e Sigurimeve shoqërore e krijon administrata shtetërore. Pra, në qoftë se fondi i sigurimeve shoqërore ka një gropë të zezë të madhe, kjo gropë është krijuar se ministria e Financave nuk u paguan sigurimet shoqërore që duhet të kalojnë paralel me rrogën që marrin në fondin e sigurimeve shoqërore. Janë mbi 100 milionë euro detyrime ndaj këtij fondi, të cilat nuk i ka shlyer Edi Rama.
Po kështu debitorë të mëdhenj në fondin e sigurimeve shoqërore janë qeveritë vendore socialiste. Pra, janë këto që fundosin fondin e pensioneve dhe bëjnë të pamundur rritjen e pensioneve nga ky fond”, tha Berisha.