Lideri i opozitës, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme për gazetarët tha se, shëndetësinë e kanë shkatërruar koncesionet e Edi Ramës! Ai theksoi se, koncesionet në shëndetësi do të marrin fund.
“Mendoj se shëndetësinë e shkatërruan në mënyrën më të fuqishme, më të pamëshirë, koncesionet.
Janë ato si kuçedra që gllabërojnë fondet dhe buxhetin e shëndetësisë dhe lënë qytetarët pa shërbime.
Në qoftë se Edi Rama dhe Vilma Nushi ndajnë shumë përrallore të check-upit, në qoftë se Edi Rama dhe pronari në aparencë i analizave, ndajnë shumë përrallorë, lënë qytetarët në një të tretën e kohës pa asnjë mundësi analize, që nuk ka ndodhur krurë në histori, as në ditët më të varfra të diktaturës.
Kjo ndodh sepse Edi Rama zgjodhi shëndetësinë dhe të sëmurët për t’u pasuruar vetë nëpërmjet këtyre koncesioneve.
Këto marrin fund.
Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë proces të tmerrshëm korruptiv që u ka kushtuar qindra e mijëra jetë shqiptarëve, do ndëshkohen për krimin që kanë kryer përmes këtyre koncesioneve.
Kreu i tyre është Edi Rama, njeriu që ka promovuar në mënyrën më të fuqishme këto koncesione si një gjë të jashtëzakonshme, në fakt për xhepat e tij dhe bashkëhajdutëve të tij, kurse një ndëshkim për qytetarët shqiptarë.
Marrin fund këto.
Sigurisht shëndetësia do një dyfishim të buxhetit.
Shëndetësia, në fakt ne patëm bëmë një investim në kompleks mbi 100 milionë euro për imazheri dhe laboratore. Por ajo kohë është tani 12 vite më parë, natyrisht ato duan që të gjitha që të rinovohen.
Është e domosdoshme një investim i veçantë për imazheri dhe laboratore për të pasur teknologjitë më të fundit. Mund të jetë më shumë se 100 milionë se nuk rrinë çmimet siç kanë qenë, por sado të kushtojë, duhet një investim në këto shërbime në mënyrë që të ketë një shërbim të shpejtë.
Nuk mund të diskutohet që të mungojnë më ilaçet. Nuk kanë munguar ilaçet më përpara. Absolutisht, në memorien time, dhe unë nuk i injoroj ankesat. Ka pasur një ankesë për Ekszhaden, ishte ilaç i kushtueshëm, por e kemi marrë.
Kështu që nuk mund të bëhet fjalë të mungojnë ilaçet. Mund të gjenden mënyrat që të blihen më lirë? Po, kjo po. Mund të bëjmë një konsorcium me spitalet onkologjike të Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës. Se ka rëndësi sasia që blejmë.
Por edhe në rast se dështon konsorciumi, ato do blihen. Ato do jenë përparësi absolute. Janë jetike, do blihen.
Duke i lënë të sëmurët pa ilaçe këta kanë treguar arsyetimin më të mjerë, më çnjerëzor që mund të bëhet.
Prandaj dhe këtu rezultatet nga ajo sëmundje janë përmbys në krahasim me vendet e tjera. Ajo që sëmundje në shumë raste mjekohet, shërohet, shtyhet afati, është betejë ajo…
Kurse këta, meqë është një sëmundje e tillë, t’i lëmë, të tallemi me ta, t’u japim çerek doze, të mos u japim, t’u japim ilaçe tjetër për tjetër siç ka ndodhur me Ina Kasimatin.
Marrin fund këto, ne do i kemi përparësi absolute këto”, u shpreh Berisha.