Larg duart nga Tragjasi!

Deklaratë e Sekretarit Funksional për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike Dega Vlorë, z.Rezenbrik Serjani

Një paçavure ligjore, e firmosur nga vet kryetari i Bashkisë Vlorë, është fermani juridik që sekti Rama ka zgjedhur në dëm të Tragjasit, e cila lejon fillimin e punimeve të ndërtimit të ujësjellësit grabitqar, ne funksion të furnizmit të oazeve oligarkike me ujë.

Për 12 vjet, kjo qeverisje e ka lënë Tragjasin dhe çdo fshat tjetër në njësitë administrative të Bashkisë Vlorë në hije të plotë, duke i anashkaluar nga cdo projekt serioz infrastrukturor, ujëjsellës të mirëfilltë për zonën, ndriçim e shërbime të tjera, duke anashkaluar dhjetra familje e qindra banorë.

Mbasi vodhën 50 milionë euro me tunelin e Llogorasë, marrja e ujit të Tragjasit përbën një tjetër krim të mirëfilltë mjedisor, social, ekonomik, sepse ky uji përfaqëson një burim jetik për të gjithë zonën, mbi të cilën mbështetet ekonomia dhe aktiviteti i saj, bujqësor, blegtoral dhe turistik.

Marrja e ujit nga burimet e Tragjasit dhe nga burime të tjera në Vlorë, të cilat i lartpërmenda nuk është asgjë tjetër, thjesht se tentativat mafioze të Edi Ramës për të gllabëruar çdo metër katror të këtij vendi, me qëllim fuqizimin e interesave të tij okulte, klienteliste e korruptive.

Kujtojmë gjithashtu tentativat e marrjes se ujit nga Lumi Shushicë, fshati Dukat dhe sot kthetrat gllabëruese të qeverisjes së sektit Rama janë hedhur në burimet ujore të Tragjasit, sepse Edi Rama, e urren Tragjasin, fshatin e heronjve, dëshmoreve, luftëtarëve për liri, demokraci; Tragjasin e nacionalistëve, e burrave trima, të mençur e punëtorë.

Tentativat e tij për gllabërimin e pasurive mbi-nëntokësore në Vlorë e mbarë Shqipërinë, janë bërë me ligj e pa ligj, me teka e pa teka, sepse Edi Rama, sekti i tij, perveç se kënaqësisë së orekseve të tyre, duke dëmtuar komunitete e interesa qytetaresh nuk ka bërë asgjë tjetër këto 12 vite keq qeverisje.

Nëse do shikonim karakteristikat e çdo investimi, sidomos në Vlorë, të ashtuquajtura të tilla, na del në pah korrupsioni, klientelizmi, mungesa e transaprencës, goditja e interesit qytetar, shkelje e ligjit, denatyrim e goditje e historisë.

E tillë është dhe ky ferman juridik që ka dalë nga zyra e Kryetarit të Bashkisë Vlorë. Përveç se një shkelje e mirëfilltë ligjore, është një shkelje ndaj traditës, historisë e banorëve të Tragjasit, Dukatit, Radhimës, Orikumit, ndaj gjithë kësaj krahine, për të cilën flet vet historia.

Asnjë dëgjesë publike me banorët e zonës, asnje konsultim publik, parashtrim kërkesash dhe marrje mendimesh, ashtu siç e parashikon ligji, duke e bërë që në krye të herës të paligjshme këtë leje, këtë projekt grabitqar.

Një tjetër shkelje është dhe mosprezantimi në kohë i lejes tek banorët të cilët preken në mënyrë direkte nga ky projekt grabitqar, e cila është vetëm një paçavure juridike .

Larg duart nga Tragjasi!

Larg duart nga pasuritë e kësaj krahine, për të cilën flasin shekujt!

About Redaksia

Check Also

Berisha: PD hyn në këtë fushatë me premisat më të fuqishme për një fitore historike!

Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar se, PD hyn në …