Berisha: Unaza e Shqipërisë do të jetë projekt tjetër madhor, urbanizon periferinë e vendit!

Duke u ndalur veçanërisht në projektet infrastrukturore të vendit, nën qeverisjen e ardhshme të demokratëve në mandatin e parë 4-vjeçar, kreu i PD, Sali Berisha premtoi se Unaza e Shqipërisë do të jetë një tjetër projekt madhor infrastrukturor.

Sipas Berishës, ajo do të urbanizojë periferinë e vendit, ndërsa shtoi se unaza bën të mundur që çdo qendër komune në ndarjen e vjetër, të lidhet me akset kombëtare në një kohë të shkurtër prej 20 minutash.

“Unaza e Shqipërisë do të jetë projekt tjetër madhor infrastrukturor.

Të dashur miq, në vitet 2005-2007, në zbatim të këtij projekti ne ndërtuam dhe rindërtuam rrugë nga Valbona gjer në segmentin Korçë-Ersekë, të cilin e filluam dhe ndërtuam 18 kilometrat e parë.

Kjo unazë do zbriste, do shkonte në Kolonjë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë. Do rikthehej rruga e bregut, e cila u rindërtua dhe do ndiqte bregun për të dalë në Velipojë dhe për të ecur drejt Hanit të Hotit dhe Vermoshit.

Në ndarjen e vjetër administrative, kjo unazë bashkonte dy të tretat e komunave të vendit. Kjo unazë, e tëra në zonat malore përveç ultësirës bregdetare, bënte disponibël të gjitha pasuritë e mëdha dhe potencialet turistike, bujqësore, blegtorale, etj, të dy të tretave të Shqipërisë.

Unaza me fjalë të tjera urbanizon të gjithë periferinë e Shqipërisë.

Ajo bën të mundur që çdo qendër komune në ndarjen e vjetër, të lidhet me akset kombëtare në kohë 20 minuta.

Këto janë vetëm disa nga projektet me përparësi të madhe të infrastrukturës në 4-vjeçarin që vjen.

Projekte të tjera të mëdha do të vazhdojnë.

Lugina e Drinit ka të gatshëm projektin për autostradën Vau i Dejës-Fierzë.

Por natyrisht thashë, përparësi absolute merr hekurudha.

Nuk po ndalem këtu në projektet e transportit detar dhe ajror, të cilat janë projekte madhështore dhe e bëjnë Shqipërinë epiqendër të transporteve në Ballkan”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Gazetari nga Greqia/ Mund të vendosnin edhe shtatoren e Enver Hoxhës para Ambasadës Amerikane si instalacion

Gazment M. KAPLLANI Shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës në Gjirokastër e bënë Muze Etnografik …