Kryetari i PD, Sali Berisha, në konferencën me gazetarët akuzoi kryeministrin Edi Rama si “gënjeshtarin më të madh” dhe ka kritikuar qeverisjen e tij për vonesat dhe mashtrimet lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Berisha theksoi gjithashtu se, ndonëse Rama premtoi hapjen e negociatave në 2017, ato u realizuan vetëm pas tetë vitesh, duke e cilësuar këtë si një mashtrim të madh ndaj shqiptarëve.
“Më i ligu ndër të ligjtë është gënjeshtari. Në klubin e të këqijve, më i keqi është gënjeshtari dhe në qoftë se ju merrni Edi Ramën nga 2013 e gjer sot, ju garantoj se në të gjithë globin tokësor nuk do të gjeni një gënjeshtar të dytë si ky.
Së pari, jeni dëshmitar se si zotëria i tij në 2017, hapi shishet e shampanjës, hodhi me qindra fishekzjarre, dekoroi ambasadorë dhe komisionerë, për hapjen e negociatave. A është kështu apo jo. Bëri mashtrimin më groteks, më groteks të shqiptarëve; negociatat u hapën. Negociatat nga 2017 defakto u hapën vetëm para 3-4 muajve.
Pra pas 8 vitesh negociatat nga dita që Edi Rama festoi me fanfare, me tam tame, me dekorata, me shampanjë me fishekzjarre, morën 8 vite për tu hapur.
Tani ca thotë? Pasaportën e prodhuar nga qeveria e mëparshme, e nxjerr thotë pasaporta Europiane në vitin 2030. Shiko ku e ka nashtrimin, ai nuk thotë dot në vitin 2029, se e di që nuk do të ndodhë, sepse e di që nuk do ndodhë, e çon në vitin 2030 përtej mandatit që përpiqet të grabisë vetëm për të mashtruar shqiptarët.
Unë isha në Podgoricë, ajo audiencë u trondit nga ajo që dëgjoi me fakte. Unë i them Edi Ramës se nuk ke parë gjë akoma, është vetëm fillimi. Kur unë kam deklaruar këtu para jush dhe para botës se Shqipëria nuk plotëson asnjë ktriter, veç kriterit gjeostrategjik e kam bërë me përgjegjësinë më të plotë dhe unë do të ja faktoj kujtdo, edhe shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se kjo është një e vërtetë e pamohueshme.
Ndaj Edi Rama e dorëzon në 12 maj dhe i garantoj shqiptarët se për qeverinë tonë të ardhshme, objektivi numër 1 do të jetë integrimi i Shqipërisë ne BE. Interesi kombëtar më madhor do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE, me një dallim themelor, i bazuar në meritë dhe në asgjë tjetër.
Procesi i bazuar në meritë i dha Shqipërisë marrëveshjen e stabilizim asociimit, i dha Shqipërisë heqjen e vizave, i dha Shqipërisë rekomandimin nga Komisioni Europian i statusit kandidat, i dha Shqipërisë ftesën në NATO, i dha Shqipërisë anëtarësimin në NATO. Ka vetëm një rrugë dhe kjo rrugë është të plotësosh standardet dhe kriteret e procesit të anëtarësimit si interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë.
Ndaj dhe përshëndes vendimin që kanë marrë, i garantoj se ylli polar, nordi i qeverisë së Aleancës për Shqipërinë Madhështore, do të jetë integrimi i bazuar në meritë i Shqipërisë në BE.
Me Edi Ramën nuk ka integrim. Me Edi Ramën ka mashtrim, mashtrim dhe vetëm mashtrim”, u shpreh Berisha.