CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Turi Kombëtar i Brain Gain: Beteja ka filluar dhe ne jemi këtu për të fituar!

Andi MUSTAFAJ
Nikola KEDHI 

Nga qyteti në qytet, nga një cep i Shqipërisë në tjetrin, turi ynë i Departamentit Brain Gain po sjell mbështetje të drejtpërdrejtë për kandidatët e Partisë Demokratike, të cilët po garojnë në këto zgjedhje të rëndësishme. Kudo ku shkojmë, nga Shkodra në Lezhë, Fier, Pogradec, Durrës, Vlorë e të tjerë, takojmë burra dhe gra me integritet, profesionalizëm dhe një dëshirë të zjarrtë për të ndryshuar vendin e tyre – njerëz që kanë zgjedhur të përballen me sfidën e politikës jo për privilegje, por për t’i shërbyer komunitetit dhe kombit.

Shpesh në vendin tonë njerëzit e gjejnë më të lehtë të ankohen për ato që ju ndodhin, dhe e kanë më të vështirë të bëjnë diçka për të ndryshuar situatën ku ndodhen. Ndoshta është natyra njerëzore e tillë. Por, politika është veprim, është dëshirë për të jetësuar një vizion të caktuar, dhe është vullnet për të bërë madje të pamundurën realitet.

Pas daljes së listave pati reagime të shumta, analiza, ndjesi të ndryshme. Ne të dy, së bashku me anëtarët e tjerë të Departamentit, zgjodhëm një tjetër rrugë, atë të përpjekjes për një rezultat ndryshe më 11 maj me një besim të palëkundur se shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeveri që kanë, ashtu siç nuk meritojnë varfërinë e skajshme, shpopullimin, rrënimin e arsimit e shëndetësisë e të çdo mundësie për një jetë më të mirë. Misioni për të shpëtuar Shqipërinë shkon përtej Partisë Demokratike – ai është jetik për të ardhmen e kombit. Edhe nëse PD nuk do mundej, donte apo dinte si t’i ndizte motorët, detyra jone patriotike, dhe e gjithsecilit, është ta bëjë atë gati të luftojë e të fitojë.

Ndaj më 11 maj duhet siguruar ndryshimi, për qytetarët e thjeshtë shqiptarë që nuk e kanë luksin të pasurohen në opozitë, por shohin se si vendi i tyre po shpopullohet, dhe se si fëmijët, nipërit e mbesat dëbohen nga atdheu i tyre. Shqiptarët duan thjesht të jetojnë në një vend normal, me siguri për jetën, me arsimin, shëndetësinë, pensionin dhe me mundësitë e duhura ekonomike për të pasur një jetë dinjitoze. Ne jemi në këtë rrugëtim kombëtar që të ndihmojmë shqiptarët të jenë një hap më afër këtij ndryshimi.

Filozofia jonë është e thjeshtë: Ndihma do të jepet gjithmonë nga Departamenti ynë për ata që e kërkojnë. Ne po shkojmë – e do të vazhdojmë të shkojmë – kudo ku është e nevojshme, në ndihmë të Partisë Demokratike, të shpëtimit të vendit dhe atyre kandidatëve në listë të hapur që e kërkojnë ndihmën tonë.

Ky është një projekt i jashtëzakonshëm, sepse për herë të parë një ekip në mënyrë vullnetare, pa asnjë shtytje veç ndjenjës patriotike, po angazhohet drejtpërdrejt për të ndihmuar kandidatët në ndërtimin e fushatës së tyre. Ata që kanë nevojë për asistencë në program, strategji elektorale, komunikim apo organizim, e dinë se mund të mbështeten tek ne. Ky është një angazhim serioz për t’u siguruar që në këto zgjedhje, kandidatët më të mirë të Partisë Demokratike të kenë çdo mjet në dispozicion për të triumfuar.

Listat e hapura na japin një mundësi të madhe: qytetarët shqiptarë kanë në dorë të zgjedhin jo thjesht një parti, por individët që i përfaqësojnë më mirë ata. Dhe Partia Demokratike ka shumë emra që meritojnë mbështetje. Janë profesionistë të rinj, njerëz të sprovuar në karrierat e tyre, figura me kontribute të jashtëzakonshme në komunitete të ndryshme, që sot kanë vendosur të mos rrinë më spektatorë, por të hyjnë në betejë. Ata përfaqësojnë një brez të ri të së djathtës, një frymë të re për Shqipërinë. Ndihma jonë për ta është një ndihmë për Partinë Demokratike dhe Aleancën e saj, sepse çdo votë për kandidatët i shkon Aleancës.

Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Ka nevojë për një rotacion të vërtetë, për një qeverisje që ndalon degradimin ekonomik, rrënimin e familjeve dhe shpopullimin e frikshëm. Nuk mund të lejojmë që i njëjti pushtet, i mbajtur me abuzime dhe klientelizëm, të vazhdojë të mbajë peng të ardhmen e shqiptarëve.

Prandaj, ky tur nuk është thjesht një angazhim i Brain Gain për të ndihmuar kandidatët, por është një pjesë e luftës sonë për të sjellë rotacionin dhe ndryshimin që Shqipëria po pret. Ne do të vazhdojmë të mbështesim ata që janë gati të përballen me këtë sfidë, sepse fitorja e tyre është fitorja e të gjithë atyre që besojnë në vizionin dhe besëlidhjen tonë për një Shqipëri Madhështore.

Beteja ka filluar. Dhe ne jemi këtu për të fituar!

About Redaksia

Check Also

Gruaja e kapobandës së Shijakut merr leje për pallat 18 katësh në Durrës

Një nga kapobandat e Shijakut, Altin Hajri, është në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër …