Kukulla e Dubait në Vlorë

Arlind BAJAJ

Pak ditë para nisjes së fushatës elektorale, qyteti i Vlorës është përfshirë në një situatë të rënduar. Qytetarët janë të mbushur me ankesa për çdo aspekt të jetës së përditshme: ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, problemet me ujësjellësin, rrugët e shkatërruara, papastërtia si dhe ndotja e ajrit. Këto kanë shpërthyer në shqetësime të vazhdueshme, duke e bërë jetën e vlonjatëve gjithnjë e më të vështirë.

Teksa punimet për premtimin elektoral të vitit 2013, “Ujë i pijshëm 24 orë”, kanë filluar vitin e kaluar, ende nuk dallohet se për sa kohë do të zgjasin. Problemet me ujin në rubinete, vazhdon ende në vitin 2025. Shumë familje nuk furnizohen në asnjë orar të ditës me ujë, e ndërsa disa të tjera, furnizohen në një orar të caktuar. Askujt nuk i shkon ndër mend për ujë të pijshëm, por fatkeqësisht, disa familje furnizohen me ujë dallueshëm të ndotur, të cilin nuk mund ta shfrytëzosh për asgjë.

Nga ana tjetër, rrugët e dëmtuara e të punuara për shkak të këtij projekti, sjellin ndotje, probleme në qarkullim, probleme për automjetet e një imazh të shëmtuar për qytetin tonë bregdetar. Gjithçka tani është bërë e zakonshme dhe e përditshme për qytetarët vlonjatë. Askush nuk mban përgjegjësi e askush nuk u përgjigjet ankesave.

A është kjo një situatë normale?

Kjo nuk është “Vlora që duam”, e as “Vlora që çojmë përpara”. Kjo është Vlora e braktisur. Kjo është Vlora e propagandës, ku nëpër televizione shfaqet vetëm “Lungomare”, por jo lagjet e shkatërruara, arsyeja pse edhe turistët nuk e zgjedhin më qytetin tonë. Vlorën e padëshiruar nga askush, përveçse nga pushteti lokal. E nëse kësaj pikture të shëmtuar do të duhet ti vinim një emër autori, ai do të ishte Ermal Dredha, kryebashkiaku i Vlorës.

Edhe sa do të duhet të presim?

A përballet vetë zoti Dredha me këto probleme të përditshme? E nëse jo, nuk i dëgjon ankesat e përditshme të qytetarëve? Nuk i dëgjon ai ankesat e 100 votuesve të tij në fshatin Tragjas për ujin? Apo “Miss DANCE”, nënkryetarja e bashkisë harroi ti transmetoi mesazhin për takimin që ajo vetë deklaroi se do të mbante me këta banorë? A po krihej ai në orët e vona kur flaka e rënë pranë këtij fshati arriti pranë shtëpive, apo dremiste lehtshëm, i dehur nga muzika popullore dhe vallet e një nate të mëparshme? Si përballet ai me banorët militantë kur nën moton “Në çdo lagje” dëgjon problemet e tyre? Pafytyrësia e tij ka arritur deri në pikën ku të kërkojë vota pasi ka hapur dhjetëra probleme për ta?

Nëse kthehemi pas në kohë, më saktësisht në marsin e vitit 2023, “Shefi i MADH” me një prezantim nga ana e tij dhe me një votim “krejtësisht të lirë” solli si kandidat për kryetar bashkie në Vlorë, ambasadorin e Shqipërisë në Dubai, të birin e Neki Dredhës. Mjaftoi prezantimi i tij, e më pas edhe shpallja e “votave” për të deklaruar se kryebashkiaku i Vlorës, u shpall 2 muaj përpara votimeve.

Mirë po, ky 2-mujorsh, nuk ishte një periudhë rehati për Dredhën II. Iu deshën shumë asfalt, shumë ndihma ekonomike, shumë prerje 50-ëshe e shumë autobusë të shërbimit publik të qytetit për ti fituar ato zgjedhje. Për tu gjetur muaj më vonë, në një zyrë të rrethuar me miq e mikesha, kushërinj e kushërira, shok e shoqe dhe shumë të afërm të tjerë, të vendosur në poste të ndryshme pune.

E çfarë mund të presim nga një kryebashkiak i tillë përveçse problemeve?

Problemet e shqetësimet nuk kanë pushuar që prej ardhjes së Dredhës II në krye të bashkisë. Vlonjatët nuk kanë mundur të gjejnë rehat, pasi këto probleme nuk mund ti zgjidhin njerëz të pa aftë, të gjendur në një pozicion pune në bashki, krejt papritur. Këto probleme mund ti zgjidh vetëm trashëgimtari, i cili sipas urdhrave të “Shefit të MADH” e ka sjellë gjendjen e këtij qyteti kaq të bukur, njësoj si gjendje pas lufte.

Do të jetë rastësi që këto probleme të zgjidhen shumë shpejt?

Edhe pak kohë na ndajnë nga zgjedhjet. A është e gjitha kjo një skemë e planifikuar nga “Shefi i MADH” dhe e vënë në zbatim nga kukulla e tij, për tu rregulluar në momentet e fundit të fushatës? Apo është thjesht një rastësi?

E gjithsesi, Dredha II duhet të ketë kujdes me asfaltin parazgjedhor!

About Redaksia

Check Also

Fshatari, rosa dhe turisti

Nga Lutfi DERVISHI Na ishte njëherë një vend me bukuri natyrore që Zoti ia kishte …