Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në prezantimin e programit për sportin të ‘PD-Shqipëria Madhështore’ ka vënë theksin edhe tek edukimi sportiv i nxënësve në shkollë, që sipas tij do të jetë një shtyllë kryesore sistemit arsimor.
Berisha tha gjatë fjalës së tij, se qeveria do të mbështesë edhe sporte të tjera, e jo vetëm futbolli, edhe pse ky i fundit është më i famshmi ndër sportet.
“Partia Demokratike e konsideron sportin dhe edukimin të pandarë nga njëri-tjetri.
Edukimi sportiv i nxënësve, i të rinjve do të jetë shtyllë kryesore e sistemit tonë arsimor.
Është sot e njohur se çfarë rëndësie ka në suksesin, në rezultatin e individit, performanca e tij, përgatitja e tij psikologjike dhe fizike.
Të dyja këto të lidhura shumë me sportin.
Degët e sportit do të gjejnë mbështetje, stimuj, jo duke i shpallur kapitenë apo kolonelë me paleta, por duke u shpërblyer pa i militarizuar ata apo ato për të gjithë meritën që kanë.
Duke shprehur mirënjohjen për përfaqësimin e tyre për kombin, flamurin në gara dhe ndeshje ndërkombëtare.
Sigurisht që futbolli mbetet sporti më popullor.
Por kjo nuk do të thotë që të eklipsohen, të injorohen sportet e tjera dhe mbështetja për sportet e tjera.
Jo! Do vendoset një proporcion i pranueshëm dhe i drejtë në mbështetjen e qeverisë dhe ministrisë së sporteve ndaj formave të tjera të sportit përveç futbollit.
Shqipëria, pavarësisht vështirësive të saj, por ka arritur maja evropiane dhe botërore dhe ky është fakt i pamohueshëm jo në një, por në disa sporte të tjera.
Ndaj dhe ne i qëndrojmë mbështetjes së fuqishme dhe përjashtimit të mbështetjeve të njëanshme në financime dhe mbështetje të tjera për lloje të ndryshme të sportit”, tha Berisha.