Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka bërë një hap pas nga përplasja globale tregtare duke njoftuar pezullim 3 mujor të tarifave që tronditën ekonominë botërore.
Pauzë 3 mujore për tarifat reciproke dhe ato 10%, me efekt të menjëhershëm. Lajmin e ka bërë publik në “Truth Social” vetë presidenti Trump. Në të njëjtën kohë, ai njoftoi se po rriste normat e tarifave ndaj Kinës në 125%, duke rritur përplasjet e tij me Pekinin.
Menjëherë pas lajmit, bursat në Shtetet e Bashkuara u rritën ndjeshëm.
Doë Jones fitoi 6.6%, S&P 7.3%, Nasdaq 9%. Nafta gjithashtu regjistroi një kthesë 180 gradë, e cila tani po rritet ndjeshëm pas rënieve të ditëve të fundit.
Luftë me Kinën
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në Truth Social se po rrit tarifat për produktet kineze në 125%, në një përshkallëzim të pafund me Pekinin. Rritja e re e tarifave do të jetë “efektive menjëherë”, shkroi presidenti amerikan.
Sipas presidentit amerikan, “Kina nuk ka respektuar”, prandaj vendosi për këtë rritje të mëtejshme të konsiderueshme.
Duke u rikthyer tek pauza, ai tha se kjo u vendos “pasi mbi 75 vende kanë kërkuar takime me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Departamentin e Tregtisë dhe Thesarit, për të negociuar një zgjidhje për çështjet në fjalë që kanë të bëjnë me tregtinë, barrierat tregtare, tarifat, manipulimin e monedhës dhe tarifat dhe jo-monetare.
Pauza e tarifave e vendosur nga Donald Trump tregon se presidenti synon të lidhë marrëveshje “individuale” me vendet e ndryshme që synojnë të ulin barrierat e tyre doganore ndaj Shteteve të Bashkuara. Sekretari i Thesarit Scott Bessent tha këtë duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Bessent shpjegoi gjithashtu se “Kina është burimi kryesor i problemeve tregtare të Shteteve të Bashkuara”. Sekretari i Thesarit theksoi se rritja e tarifave në 125% për Pekinin është për shkak të përshkallëzimit pasi Kina ngriti tarifat ndaj SHBA-së në 84%.
Sipas Bessentit, “Trump ka treguar guxim të madh deri më tani”, duke nënkuptuar në menaxhimin e luftës tregtare të nisur me gjysmën e botës.