E kemi zgjedhur vetë këtë betejë dhe e dimë çfarë duhet bërë!

Nga Andi MUSTAFAJ

Të dashur miq, dashamirës e mbështetës me të cilët ndaj një rrugëtim sfidash tanimë drejt një ëndrre të përbashkët!

Mbrëmja e nesërme zyrtarizon hapjen e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike. Projektorët e shpresës po aq sa të kritikës, kanë qenë përherë mbi ne, si forca politike që diti t’i japë këtij vendi gjithë çfarë mundi si udhëheqëse e si opozitë.

Të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike, në këtë ditë po aq simbolike sa thelbësore, në mendje kam vetëm ju, ndaj tek ju dua të vij me këtë mesazh.

Kërkohet shpesh në politikë frymëzimi, aq më shumë kërkohet ai kur ke marrë në duar stafetën e përballjes me të keqen. Kërkon forcë të mundet e keqja, kërkon ta harrosh humbjen, lodhjen, dhimbjen, kërkon sakrificën sublime të ringritjes sa herë padrejtësia, sidomos ajo politike, ta hedh mundin dhe idealin përtokë. Por, a ka fat më të madh për një parti politike se kur vetë mbështetësit, anëtarët e saj janë i pari frymëzim?!

Si njëri prej jush, kam qenë dëshmitar i lodhjes, mërzisë, zhgënjimit, drobitjes deri në rraskapitje me gjunjët që i afroheshin tokës pa e prekur kurrë atë. Ju u sprovuat në durim dhe besim me të gjitha mjetet që imagjinata e shthurur e një klouni autokrat mund të njihte si legjitime.

Asnjë sprovë, jo asnjë sprovë nuk përveshi sytë tuaj me hijen e frikës. Më shumë u goditët në çdo formë e përtej çdo kodi moral dhe shqiptar, më shumë u bëtë etalon i krenarisë. Kurrë nuk ju pashë kokulur, kurrë të dorëzuar. Për një kohë të gjatë, ju u kthyet në të vetmin frymëzim!

Vitet e fundit në veçanti, e keqja ia doli të depërtonte deri në mesin tuaj. Shtëpia e demokratëve për një kohë humbi busullën e saj e kudo nga hidhje sytë dëshpëroheshe sa thellë helmi kishte depërtuar.

Shenja mbetën, është e vërtetë. Shenja që kundërshtari ynë shpresonte të na ndanin përfundimisht nga njëri tjetri, të na largonin përfundimisht nga sheshi i betejës ku ne bëheshim bashkë.

Por kjo nuk ndodhi. Ndonëse të zhgënjyer nga pafuqia për t’i paraprirë asaj drame politike, ishit sërish ju që i kujtuat njëri-tjetrit se ne nuk kemi rrugë tjetër veçse të bëhemi sërish bashkë. Ne prekëm të atillë fund sa vetëm një ndjenjë kokëforte e idealit, përkatësisë dhe krenarisë shpjegon ringritjen, derisa sot fatin në dorë e kemi ta shkruajmë.

Ju ende frymëzoni! Kur kambanat e historisë bien përsëri e më fort, të parët jeni ju në apel. Pa pyetur për diell, borë, shi a stuhi, vendosur në rreshtin e parë drejt një rruge pa kthim, ju mbetët model udhëheqjeje, model qëndrese, model guximi. Nder që nuk shlyhet të jem njëri prej jush!

Të nderuar Demokratë kudo jeni, ju lutem ta dëgjoni thirrjen time! Tani jemi në kohën zyrtare të fushatës. Nëse helmi i përçarjes dhe dyshimit apo dëshira e kritikës prek mendjet tuaja, kujtoni si jeni ndier të nesërmen e zgjedhjeve të vjedhura, të nesërmen e zgjedhjeve të dorëzuara. Kujtoni si jeni ndier të nesërmet e protestave, kur sytë ju lotonin ende nga gazi i policisë apo kur trupi ju dhimbte nga shkopinjtë e patronazhistëve që kërcisnin verbërisht.

Përdoreni këtë forcë për të shtrënguar rreshtat, për t’u përqendruar te qëllimi ynë i përbashkët, i vetmi që vlen sot. Shqipëria Madhështore.

Që të fitojmë, duhet të bëhemi një trup i vetëm, i fortë si çeliku. Që të bëhemi të tillë, duhet të dalim nga qasja se zgjedhjet janë për 140 kandidatë në Parlament. JO.

Në këto zgjedhje ‘çdo militant është kandidat, çdo qytetar është kandidat’. Shumë më shumë se kandidatë për deputetë a kryeministër, të gjithë jeni, të gjithë jemi kandidatë për një jetë më të mirë.

Të gjithë jeni, të gjithë jemi kandidatët e shtëpisë që u premtojmë shqiptarëve, që ajo të mos jetë më larg rrënjëve tona në 4 cepat e botës por aty ku rreh zemra e trashëgimisë sonë, e ëndrrave tona. Aty ku duhet të vrapojnë dhe gëzojnë fëmijët tanë.

E kemi zgjedhur vetë këtë betejë. E kemi zgjedhur me vetëdije të plotë për rreziqet që kemi përpara. Por do t’ju them se brenda secilit prej nesh gjenden përgjigjet për pyetjet më të mëdha që na prekin. Ju nuk shitët votën, ju nuk tjetërsuat të ardhmen. Ju e dini çfarë duhet bërë.

Kemi një muaj përpara, një muaj që të pamundurën ta bëjmë përsëri të mundur, një muaj që psherëtima që dëgjoj në rreshtat tuaj të bëhet oshtima që do çaj qiellin e zi që na ka vendosur mbi kokë Rilindja, një muaj që të gjithë së bashku ta bëjmë Shqipërinë Madhështore.

Rrofshin demokratët, rrofshin shqiptarët.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Rama është padrino, ka vendosur kodin e mafias, omertan për çdo lloj ballafaqimi në televizion

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar …