Fermeri Komi Furrxhi: Sali Berisha thotë, fermeri është investitori strategjik i Shqipërisë! Më në fund e shoh që dikush po na dëgjon

Unë jam Komi Furrxhi, fermer i mesëm nga Imishtaj i Lushnjës.

Unë jam sonte këtu sepse jam i interesuar në punën time, kam një interes dhe jam grup interesi. Jam sonte këtu sepse prej 2 muajsh kam dëgjuar Sali Berishën, kryetarin e opozitës, të formulojë në programin e tij ato kërkesa që ne fermerët e Myzeqesë, dhe besoj gjithë Shqipërisë, bëjmë prej vitesh.

Financimi për çdo njësi prodhimi, ulja e TVSH-së, barazimi i TVSH-së në blerje dhe në shitje, subvencione të fermerëve dhe krijimi i Bankës së Zhvillimit.

Sali Berisha i ka marrë kërkesat tona dhe i ka futur në programin e Partisë Demokratike, dhe unë dua ta falënderoj për këtë.

Tani ju do thoni: po kjo nuk do të thotë asgjë, o Komi! Berisha mund të bëjë premtime dhe të mos i realizojë.

Këtu do t’ju kundërshtoj pak.

Për Sali Berishën thuhen shumë gjëra. Disa të vërteta e disa jo. Por ajo që është gjithmonë e sigurt është se Sali Berisha po e tha fjalën, e mban!

Unë i besoj programit të PD dhe fjalës së Sali Berishës. I besoj markës Made in Albania, sepse e di që kjo është e mundur.

Tokat e Myzeqesë janë pjellore prej shekujsh, dhe për shekuj të tjerë, me ndihmën e Zotit, do të jenë. Problemi nuk është toka, as fermeri, por qeverisja.

Qeveria në fuqi nuk e ka përparësi fermerin, nuk e do fshatarin e thjeshtë. Është e dhënë pas kullave, jo pas serave.

Ne i kemi tokat, e kemi traditën e bujkut shqiptar, e kemi bujarinë e klimës.

I kemi të gjitha që marka Made in Albania të çajë tregjet e botës, të prodhojë mirëqenie për ne dhe krenari për vendin.

Unë kam disa hektarë tokë të miat dhe disa hektarë të marrë me qira. I mbjell me çfarë të mundem.

Korrjet janë të mbara, por jo shitjet. Gruri më është kalbur disa herë, e kam mbajtur edhe për 2 vite në hangar. Shalqiri, prodhimi tipik i zonës, shpesh ka përfunduar në kanal. Unë kam marrë pjesë në shumë protesta të fermerëve të Myzeqesë.

Jo se kërkojmë lëmoshë, madje as ndihmë nga shteti. Unë kërkoj respekt. Unë kërkoj që prodhimi vendas t’i ketë rrugët e hapura në tregjet e Shqipërisë. Është turp për ne të blemë mollë dhe qepë maqedonase, apo portokalle nga Greqia, dhe prodhimet tona të kalben.

Unë kërkoj që shteti të më trajtojë si investitor, sepse unë investoj gjithçka që kam-djersën, kohën, kursimet e mia dhe të familjes.

Kam dëgjuar që Sali Berisha thotë: ‘Fermeri është investitori strategjik i Shqipërisë.’

E shoh që më në fund dikush po na dëgjon.

Nafta pa taksa, TVSH zero për bujqësinë, subvencione për çdo fermer, ndihmë për të shitur prodhimet tona-këto nuk janë luks.

Janë shteti që e bën partner fermerin e vendit të vet.

Unë dua të jetoj me dinjitet prej tokës sime dhe t’i jap dinjitet vendit tim.

Për mua kjo është Shqipëria madhështore. Një vend që përkrah njerëzit e punës dhe u jep hakun.

About Redaksia

Check Also

Premtimi i Berishës që shpëton Krujën: Brenda mandatit të parë rruga që lidh Krujën me Tiranën

Qytetar: Ne si qytetarë të Krujës duam diçka për Krujën personalisht, çfarë do të bëhet sepse …