Më 10 Shkurt, kryedemokrati Sali Berisha dha lajmin se Chris LaCivita, kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan në SHBA, do të ishte një nga drejtuesit e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike në vend. Ardhja e këtij të fundit në Shqipëri, e për më tepër në një pozicion të tillë politik, ka shkaktuar jo pak reagime.
Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një “turist që do shpenzojë ca para në vendin tonë”. Pikërisht për këtë, LaCivita dha komentin e tij LaCivita në studion e “Opinion”.
“Edhe një herë. Edi Rama në këto zgjedhje do të flasë për gjithçka përveç se për 12 vitet e qeverisjes së tij. Ka qenë kryeministër për 12 vite dhe po më sulmon mua? Mua më duket për të qeshur. Nuk jam turist. Vij këtu për punë”, tha ai përballë gazetarit Blendi Fevziu.
U pyet më tej se pse kreu i qeverisë shqiptare gëzon këtë mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar.
“Mendoj se diskutimi nuk është dhe nuk duhet të jetë për Evropën. Diskutimi duhet të jetë për votuesit shqiptarë dhe si ndihen ata për të ardhmen e tyre. Si mund të përballojnë mirat bazë në mënyrë që të rinjtë të mos mendohen për tu larguar nga Shqipëria ngaqë nuk gjejnë dot punë këtu. Këto janë çështjet me rëndësi. Këto janë çështjet për të cilat duhet të flasë Edi Rama.
Përgjigja më e mirë ndaj kësaj dhe ajo që njerëzit duhet të kuptojnë është: a mund të besosh një burrë që i bëri gjërat kaq të papërballueshme gjatë këtyre 12 viteve që t’i rregullojë ato dhe të shkojë te 2030-a? Nuk e mendoj. Pse do vësh në pushtet dikë që i bëri gjërat kaq të vështira, për t’i zgjidhur problemet që i krijoj vetë?! Nuk ka kuptim!”, u përgjigj LaCivita.