Nga Telnis SKUQI
Tre javë para zgjedhjeve, në një takim të ashtuquajtur informues me fermerët e Gjirokastrës, ndodhi ajo që regjimet e konsumuara dinë të bëjnë më mirë: heshtje të dhunshme ndaj zërit qytetar.
Fermerët e pakënaqur me abuzimet në shpërndarjen e fondeve të Bashkimit Europian, ngritën zërin, por në vend të përgjigjes, morën goditjen. Jo figurativisht. Fjalë për fjalë. Dhe dhuna nuk erdhi nga “të panjohur”, por nga patronazhistë të organizuar, të një partie që e shet veten si garancia e integrimit europian.
E pranishme në këtë farsë ishte edhe Mirela Kumbaro, përfaqësuese politike e Partisë Socialiste dhe simbol i cinizmit të një administrate që nuk pyet më për etikën, turpin apo ligjin. Asnjë reagim prej saj. Asnjë distancim. Asnjë fjalë për ata që u dhunuan. Asnjë!
Kjo ngjarje nuk është incident. Është ilustrim brutal i një modeli pushteti që jo vetëm e përçmon qytetarin, por kërkon ta kthejë në skllevër heshtjeje e servilizmi.
Abuzimi me fondet e BE-së nuk është vetëm korrupsion – është tradhti ndaj fermerëve që mbijetojnë me ndihma simbolike dhe ndaj një populli që largohet çdo ditë nga kjo tokë, sepse atdheu i tij është kthyer në një teatër për një kastë sunduese.
Është koha që qytetarët të mos jenë më spektatorë. Është koha që drejtësia të mos flejë. Nëse jo tani, kur?