Kryetari i PD Berat, Shyqyri Duro, së bashku me Eno Bozdon, mbajti një fjalim gjatë prezantimit të kandidatëve të opozitës në prani të liderit Sali Berisha. Duro deklaroi se Beratit i rikthehet shpresa dhe zëri i së vërtetës përmes udhëheqjes së doktor Berishës.
Ai theksoi se Berati nuk do të pranojë kurrë padrejtësinë dhe se demokratët janë të vendosur të qëndrojnë kundër regjimit aktual. Sipas tij, Shqipëria që promovon opozita është një vend ku drejtësia i shërben qytetarëve dhe të rinjtë ndërtojnë jetën e tyre në atdhe. Duro akuzoi qeverinë për varfërim të qëllimshëm të vendit dhe e quajti sistemin aktual një mallkim kombëtar. Në përmbyllje, ai u shpreh se opozita do të fitojë dhe do ta bëjë Shqipërinë madhështore.
Duro: Sot është një ditë e veçantë, sot Beratit i rikthehet shpresa, i rikthehet zëri i së vërtetës, i rikthehet lideri që ka mishëruar luftën për liri, për demokraci, për Shqipërinë tonë madhështore, profesor, doktor Sali Berisha.
Doktor, në emër të demokratëve të Beratit, të qytetarëve që nuk janë përkulur kurrë, ju them mirësevini në kalanë e qëndresës shqiptare.
Miq, ne jemi mbledhur këtu jo vetëm për të prezantuar ekipin tonë, kandidatët tanë për deputet, por për të bërë një premtim publik: Berati nuk do ta pranojë kurrë padrejtësinë.
Nuk do të lejojmë që Shqipëria të zhytet më thellë në errësirën e këtij regjimi që po na mbyt, që po na shpopullon, që po na varfëron me vetëdije, sepse Shqipëria që ata duan është Shqipëria e shitur, një Shqipëri për oligarkët, për tenderat, për fasadat.
Por miq, Shqipëria që ne besojmë, është Shqipëria madhështore, një Shqipëri që nuk përkulej dje dhe nuk do të përkulet as sot. Shqipëria madhështore është një Shqipëri ku drejtësia nuk ka emra të përzgjedhur, por i shërben çdo qytetari.
Një Shqipëri ku të rinjtë nuk ikin, por ndërtojnë jetën këtu, një Shqipëri që i jep fund abuzimit, arrogancës dhe pushtetit të pakufishëm, që Rama e ka kthyer në mallkim kombëtar.
Të gjithë dimë, kundërshtari ynë nuk është thjesht një parti tjetër, kundërshtari ynë është një sistem i kalbur që ka vënë në gjunjë shtetin!
Sot nga ky podium, në praninë e doktor Berishës dhe të gjithë jush që nuk jeni ndalur asnjë ditë së besuari, them me bindje të fortë: ne do të fitojmë, ne do të ngremë Shqipërinë, ne do ta bëjmë Shqipërinë madhështore.