Berisha: Të gjithë në qeveri po hanë dardha me Ramën dhe po vjedhin gjithë ditën qytetarin

Gjatë fjalës së mbajtur në Sarandë, kryetari i PD, Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën se bashkë me qeverinë e tij, po hanë dardha dhe po vjedh qytetarët gjithë ditën.

Berisha akuzoi Ramën, se edhe pse e di që në spitalin e onkologjikut janë kryer krime, nuk mori asnjë masë, por ja hodhi fajin mjekëve.

“A mund të jetë Saranda madhështore, atëherë, Saranda e burrave dhe grave që numërojnë kafshatën, që nuk marrin ilaçet?

A mund të jetë Saranda madhështore? Ka gjithë këtë teatër, qindra e mijëra vjet më parë. Sot nuk ka asnjë teatër.

A mund të jetë Saranda madhështore, kur fëmijët e saj nga viti në vit, nga 2013 gjer sot, ranë në cilësinë e shkollimit dhe dolëm dy vite më parë me rënien më të madhe në botë në testin e cilësisë së arsimit, sepse bëjnë me klasa kolektive, sepse bëjnë me dy turne, sepse mësuesit, një pjesë bëhen militantë, etj., etj.

A mund të jetë Saranda madhështore, kur ka një spital, por nuk ka shërbime mjekësore? A mund të jetë Shqipëria madhështore, kur i le të sëmurët të vdesin për mungesë ilaçesh në kthetrat e sëmundjeve? Dhe ku kryeministri i vendit thotë: po thotë, aty në spitalin Onkologjik u kryhen krime kundër njerëzimit.

Po në qoftë se thua janë kryer krime kundër njerëzimit, dhe janë kryer, ua them unë ju me definicion, është krim kundër njerëzimit, në qoftë se ti e le të sëmurin pa ilaçe, të cilat janë jetike për t’i zgjatur jetën apo për të shpëtuar jetën.

Por në qoftë se ti, e ditke pra, e di që janë kryer krime, çfarë masash more? Asnjë! Po, pse? Sepse je autori i krimeve.

Kërkove vetëm si njeriu primitiv që nuk njeh asnjë përgjegjësi, t’ja shkarkosh mjekut. Por, në qoftë se mjeku ka vënë dorën mbi fondet e ilaçeve të të sëmurit, ai duhet të marrë ndëshkimet më të rënda si kriminel për krimet e rënda kundër njerëzimit. Po nuk i ka vënë mjeku dorën aty ku ka vënë dorën ministri i tij. Ata, që thotë, po ha dardha prapa shpinës sime, po hanë gjithë ditën dardha me të dhe vjedhin qytetarin gjithë ditën me të”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Masakra elektorale/ Tabaku: Pranoni të vërtetat, në shtator rezolutë për 11 majin!

Deputetja e PD, Jorida Tabaku nga foltorja e Kuvendit akuzoi mazhorancën në pushtet se është …