‘Tek Berisha shoh të njëjtin stimul që kishte Berluskoni. Punon për popullin e tij atë që duhet të bëjë një politikan”, Ky është vlerësimi i deputetes italiane të Forza Italia, Erica Mazzeti.
Në një intervistë për Syri TV, Mazzeti e cila në këtë fushatë elektorale është krah Sali Berishës dhe koalicionit PD- ASHM theksoi afërsinë mes PD-së dhe Forza Italia. Ajo vlerësoi pjesëmarrjen e lartë dhe dëshirën që ka parë tek elektorati për ndryshimin e kësaj qeverie.
“Ka ditë që bëj fushatë elektorale me zotin Berisha. Kam shumë miq në Shqipëri. Partia Demokratike është shumë e ngjashme me Forza Italia. Morëm pjesë në këtë fushatë të shkëlqyer. Shoh që njerëzit e ndjekin shumë politikën, ka shumë pjesëmarrje, edhe më shumë se në Itali dhe kjo është shumë pozitive, sepse pjesëmarrje do të thotë demokraci.
Ishte një itinerar shumë i rëndësishëm. Partia jonë Forza Italia, falë dhe presidentit Silvio Berluskoni ka qenë gjithnjë pranë popullit shqiptarë dhe gjithnjë na ka treguar se çfarë mund të bëjë ky popull. Ne jemi shumë pranë jush. Gjatë këtyre ditëve pashë që populli po lëviz. Kam takuar profesionistë, artizanë, tregtarë, fermerë. Shihet tek këta dëshira për ndryshim e duhet të ndodhë ky ndryshim. Shoh një popull që do ndryshimin. Është e drejtë të ndodhë kështu sepse alternimi është një anë e rëndësishme e lirisë dhe e demokracisë”, tha Erica Mazzeti
Ajo nënvizoi rëndësinë e votës më 11 maj dhe rolin e diasporës shqiptare në Itali në këtë proces.
“Shqiptarët me votën e tyre më 11 maj mund të ndryshojnë fatet e këtij vendi. E ne italianët që jemi pranë jo vetëm nga ana gjeografike por dhe pikëpamja kulturore do të vijojmë tju mbështesim edhe në të ardhmen. Vota është e rëndësishme. Qytetarët të mos rrini në shtëpi. Kjo është javë vendimtare. Ne po shëtisim shumë qytete të Italisë për të takuar shqiptarë me të drejtë vote që ti bindim të votojnë. Ne si Forza Italia, e kemi thënë dhe e kemi dëgjuar dhe nga Sali Berisha, që njeriu është në qendër të politikave, shkollat, infrastruktura e shërbimet më të mira. Themelore është dhe të pasurit një drejtësie të drejtë dhe të shpejtë jo të vonuar. Ne kemi pasur shumë sipërmarrës që kanë investuar në Shqipëri, por ky trend ka rënë vitet e fundit dhe ne duhet ta ringjallim.”
Deputetja bëri thirrje që gratë dhe të rinjtë të votojnë lirshëm dhe paralajmëroi angazhimin e saj për të garantuar mbrojtjen e votës përmes bashkëpunimit me OSBE-në.
“Është themelore që gratë të votojnë pa u ndikuar. Me votën e tyre vendosin fati i vendit dhe të familjes Shoh shumë të rinj që janë entuziastë që mund të shohin tek Berisha të ardhmen e tyre. E kjo është gjëja më e bukur. Kush nuk voton të mos ankohet më pas.
Ne do të flasim me anëtarët e OSBE që të mbrojnë votën e shqiptarëve. Po bëjmë një punë të madhe në Itali, ku janë shumë shqiptarë që votojnë dhe të bëjnë diferencën. Edhe ambasadat duhet të bëjnë rolin e tyre”
Mazzeti beson se Berisha do të sjellë ndryshimin në Shqipëri dhe bën një paralelizëm mes tij dhe Berluskonit.
“Berluskoni kishte largpamësinë. Ai njihte Shqipërinë në veçanti për të cilën ishte i afeksionuar vecanërisht për Berishën. Tek Berisha shoh të njëjtin stimul që kishte Berluskoni. Punon për popullin e tij atë që duhet të bëjë një politikan”, nënvizoi Erica Mazzeti.
Gazeta RD