Berisha e cilësoi procesin zgjedhor si farsë elektorale, duke kujtuar se kjo është dënuar paraprakisht nga një sërë organizatash ndërkombëtare dhe partish europiane:
“Zgjedhjet e 11 majit ishin botërisht të njohura si farsë elektorale. Këtë e sanksionuan rezolutat e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, Internacionales së Qendrës Demokratike dhe Partisë Popullore Europiane”, tha ai.
Kreu i opozitës u shpreh se beteja për votën e lirë do të vijojë në çdo zyrë e parlament të Europës, duke theksuar mbështetjen ndërkombëtare për qëndrimet e opozitës:
“Zëri ynë, zëri juaj, zëri i shqiptarëve që luftojnë për votën e lirë, do dëgjohet dhe do ushtojë fuqishëm në Europë dhe botë. Kemi aleatë të shumtë në këtë betejë, dhe do jenë gjithnjë e më të shumtë.”
Duke iu referuar pranisë së liderëve europianë në Tiranë, Berisha ironizoi pritjen që Rama u bëri atyre, duke e krahasuar me figurat e njohura të krimit:
“Edi Rama i priti ata si një hajdut, si një plaçkitës… si El Çapo, si Toto Rina. Ai di vetëm të shkelmojë ligjin për të qëndruar në pushtet sepse e di që vendi i tij është në burg – dhe atje do përfundojë.”
Në përmbyllje të fjalës, Berisha u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë betejën kundër “terroristëve elektoralë”, siç i cilësoi ai mbështetësit e pushtetit:
“Të mos pajtohemi kurrë me këtë realitet. Të ngrihemi mbi bandat, mbi ata që kanë vënë një zonë sigurie ndaj protestuesve paqësorë. Vota e lirë është themeli i demokracisë dhe për të do të bëjmë çdo betejë dhe çdo sakrificë.”