Shqipëria, iluzioni i “integrimit” dhe vdekja e shpirtit kombëtar

Nga Felix BILANI

Një teatër i madh i BE-së, aktorë të ardhur nga BE-ja, dikush me firmato e dikush i shtirur, dikush buzëqeshte sikur takonte dashnoren për herë të parë pas një puthjeje të rrëshqitur në ndonjë cep zyre a koridori. I yni ulej në gjunjë, qeshte si një i metë që sheh diçka që nuk e kupton, por në fakt ky i yni kupton mjaft mirë se si Shqipërinë duhet ta japë në llokma të mira, ashtu si kasapi shet mishin tek zengjini.

…Por sot, ehhhh sot… sot ndahen llokmat, ku merret një kockë e mirë dhe kllouni numër 2 i Europës… në Shqipëri ndodh, sepse Shqipëria e sotme nuk është më as shtet, as komb. Është një drogë e shpërndarë nga elitat politike dhe diplomatët e huaj – një haluçinacion i hollë që i ngjan një dite të bukur pranvere, por që mbart në vetvete vdekjen e dimrit të përjetshëm.

Rama, Meloni, Macron, Zelensky – këta katër emra nuk janë thjesht liderë politikë; janë aktorë të një tragjedie groteske, ku skena është vendi ynë dhe audienca është populli i lodhur, i mashtruar, i përbuzur nga vetë ata që duhet ta mbrojnë.

Ata kanë bërë marrëveshje “fshehtas”, kanë firmosur kontrata në zyrat e Brukselit dhe Romës, kanë blerë heshtjen me një duzinë llotarish politike që quhen “reformë” dhe “negociata”. Por në thelb? Në thelb nuk ka asgjë tjetër veçse një grabitje me pretekstin e integrimit.

Populli shqiptar është i vetmi që nuk kupton, apo nuk do të kuptojë — sepse është mësuar të besojë në përrallën e BE-së si në një fe. Ai pret një dritë në fund të tunelit, kur në fakt tuneli është rrethuar me dyer të blinduara dhe të gjitha çelësat janë në duart e një pakice që i ka kthyer ëndrrat në mallra për shitje.

Rama, i mbështetur nga Meloni dhe Macron, nuk është asgjë më shumë sesa një vegël që mban skenën dhe bën të duket sikur po luan një rol kryesor, ndërkohë që teatrin e vërtetë e drejtojnë të tjerët.

Zelensky, një figurë që dikur simbolizonte rezistencën, sot është vetëm një tablo luksi në këtë mozaik të marrëveshjeve të fshehta dhe pazareve të pista, ku shqiptarët shiten në copa të vogla për një ndihmë të pamjaftueshme dhe një premtim të pakuptimtë.

Në këtë bashkëpunim të heshtur dhe të neveritshëm, ne nuk jemi partnerë; jemi objekt i manipulimit dhe dominimit. Europa, që duhet të ishte shpresa jonë, është kthyer në armatën e këtij pushtimi të ri, ku nuk ka luftë me armë, por ka pushtim me marrëveshje, me fjalë, me premtime të gënjeshtra.

Ky është momenti i zhgënjimit, por edhe i revoltës së mendjes dhe shpirtit.

Nëse nuk ngrihemi, nëse nuk thyejmë këtë heshtje dhe këtë marifet, ne do të mbetemi robër të një iluzioni që na vret nga brenda.

Nuk është koha për të pritur më. Nuk është koha për të falur më. Është koha për të zgjedhur: të jesh i lirë, ose të jesh i pranuar.

About Redaksia

Check Also

Pakësimi i popullsisë është kërcënimi më i madh për t’u asgjësuar si komb!

Nga Enver BYTYÇ! Mundet që një vend të pushtohet edhe nga një pushtues i egër. …