Përfundimi i procesit të numërimit të votave nga Diaspora solli sherr në garën për një mandat në Qarkun e Tiranës ku situata e nxehtë mes Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçkës u vulos me fitoren e kësaj të fundit.
Gjylameti e frustruar me humbjen ka ndërmarrë një hap të pazakontë duke i kërkuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve transparencë të plotë mbi procesin e numërimit duke qenë se diferenca mes tyre me vota ishte tejet e ngushtë.
Në një kërkesë drejtuar kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, Gjylameti kërkon të vihet në dispozicion video-regjistrimi i çdo tavoline numërimi në të gjithë qarkun e Tiranës. Sipas saj, pamjet do të përdoren “vetëm për qëllime verifikimi” dhe në përputhje me legjislacionin zgjedhor në fuqi.
“I nderuar zoti Celibashi! Unë kërkuesja, në cilësinë e kandidates për deputete në zonën zgjedhore Qarku Tiranë për zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025, Ju drejtohem me këtë kërkesë për të më vënë në dispozicion pamjet filmike të procesit të numërimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve në të gjithë qendrat e numërimit të Qarkut Tiranë.
Pamjet e kërkuara do të përdoren vetëm për qëllime verifikimi dhe brenda kuadrit ligjor, duke respektuar të gjitha procedurat e kërkuara nga kuadri ligjor në fuqi”, shkruan Gjylameti në kërkesën e saj.