83 milionë euro taksa për banesat sociale përfunduan në xhepat e Ramës dhe Veliajt

Emisioni Plug iu drejtua Bashkisë së Tiranës për të marrë informacion në lidhje me programet e strehimit. Konkretisht:

Cila është sipërfaqja e përfituar në bazë të ligjit, si taksë për lejet e ndërtimit?

Sa është shuma në para e mbledhur nga kjo taksë?

Sa është sipërfaqja e ndërtimit që është kthyer në apartamente për qytetarët nga viti 2019 deri më sot?

Deri në momentin e transmetimit, Bashkia e Tiranës nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Refuzimi për të ofruar informacion ndodh në një kohë kur të dhënat vetë i rrëzojnë pretendimet publike.

Megjithatë, Plug ka siguruar të dhëna zyrtare nga Bashkia e Tiranës mbi fondin e banesave sociale, të siguruara si rrjedhojë e kontributit 3% të sipërfaqes ndërtimore që ndërtuesit janë të detyruar të japin për strehim social:

2019: 73 leje ndërtimi me sipërfaqe ndërtimore mbi 2000 m²

2020: 62 leje ndërtimi – 15,737.7 m² për fondin publik

2021: 81 leje ndërtimi – 22,261.1 m²

2022: 77 leje ndërtimi – 23,957.2 m²

2023: 62 leje ndërtimi – 16,853.1 m²

Janar–Mars 2024: 12 leje ndërtimi – 4,517 m²

Totali i sipërfaqes së përfituar (2020–2024): 83,326.1 m²

Nëse kjo sipërfaqe do të konvertohej në para, me çmimin mesatar të referencës në Tiranë, ajo do të kapte vlerën e rreth 83 milionë eurove. Por sipas vetë Bashkisë, nga ndërtuesit janë mbledhur vetëm 27 milionë euro, dhe në formë fizike janë përfituar vetëm 21 apartamente.

Të dhënat e deklaruara nga Bashkia Tiranë (në lekë):

Tipologjia             2020       2021       2022       2023

Kontributi në fondin social           360,975,425        496,745,950        959,849,450        893,829,905

Për vitin 2019, 32% e lejeve e kanë shlyer taksën në vlerë monetare.

Për vitin 2020: 29% në para, 6% në formë të kombinuar (apartamente + para).

2021: 35% në para, 9% në kombinim.

2022: 69% në para, 3% në kombinim.

2023: 65% në para, 2% në kombinim.

Sipas të dhënave të censit, sipërfaqja mesatare e një banese në Tiranë është 70 m². Me përllogaritje të thjeshtë, nga 83,326.1 m², Bashkia mund të kishte siguruar strehim për mbi 1100 familje apo çifte të reja. Por në realitet, janë dorëzuar vetëm 21 apartamente dhe nga 83 milionë euro të mundshme, janë raportuar vetëm 27 milionë euro.

Për më tepër, nuk ka asnjë transparencë se ku kanë përfunduar këto para. Bashkia e Tiranës i detyrohet qytetarëve një përgjigje të qartë: ku janë kanalizuar fondet e mbledhura në emër të strehimit? Apo duhet të jetë SPAK që të hetojë se si janë zhdukur të ardhurat e përfituara nga taksat për ndërtim?

Ndërkohë, Bashkia ka lënë në hije fondin e garantuar për strehimin social dhe ka dalë para publikut me projektin e kredive të buta. Një iniciativë që, në thelb, synon të ndihmojë kategoritë në nevojë, por për shkak të kushteve jo të favorshme, është refuzuar gjerësisht dhe nuk ka arritur të përmbushë kuotat vjetore.

Përfundim:

Në pesë vite, nga një taksë ligjore që synon të ndihmojë qytetarët më në nevojë, janë zhdukur miliona euro dhe janë përfituar vetëm 21 banesa. Kjo është një thirrje për transparencë, për llogaridhënie dhe për veprim të menjëhershëm institucional.

About Krye Redaktor

Check Also

Tabaku: Ka mungesë vullneti politik nga PS për të çuar përpara integrimin!

Deputetja e PD, Joroida Tabaku ka reaguar ne seancën e kuvendit duke hedhur akuza ndaj …