Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti kërkoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pamjet filmike të procesit të numërimit të votave preferenciale në qarkun e Tiranës, duke vënë në diskutim saktësinë e numërimit mes kandidatëve socialistë në listën e hapur.
Në kërkesën drejtuar KQZ, Gjylameti theksonte se “pamjet e kërkuara do të përdoren vetëm për qëllime verifikimi dhe brenda kuadrit ligjor, duke respektuar të gjitha procedurat e kërkuara nga kuadri ligjor në fuqi.
Deputete e Partisë Socialiste që nga viti 2013, Gjylameti ishte në një garë të ngushtë me kandidaten tjetër socialiste, Olta Xhaçka. Nga votimi brenda vendit, Gjylameti rezultoi fituese me vetëm 19 vota ndaj Xhaçkës, po rezultati u përmbys nga vota e diasporës.
Pasditen e së hënës, Xhaçka rezultonte fituese me 119 vota në raport me Gjylametin për mandatin e shtatë nga lista e hapur në Tiranë.
Pas përfundimit të numërimit, Gjylameti deklaroi se nuk ishte e lumtur. “Gara nuk ishte e barabartë”, deklaroi deputetja e PS para gazetarëve duke konfirmuar kritikat e vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.
Gazeta RD