Rama është mburrur më herët në median franceze se ishte vizioni i tij për turizmin që afroi në Shqipëri kompaninë e fuqishme “Accor”.
Në një intervistë për “France Soir” në gusht të vitit 2022, Rama kujtonte një vizitë të ish-presidentit francez, Nikolas Sarkozi në vendin tonë, ku, sipas kryeministrit shqiptar, kreu i Pallatit Elize vlerësoi potencialet e Shqipërisë në fushën e turizmit.
“Po, Accor ka disa kontrata këtu me shumë investitorë. Ata kanë ardhur në Shqipëri para 4 vitesh, kjo falë Nikolas Sarkozi, që është pjesë e bordit të projekteve që janë zbatuar. Ai erdhi bashkë me Carla Bruni, bashkëshorten e tij, për një vizitë dy-ditore. Carla dha një koncert këtu, e gjithashtu udhëtuam së bashku me helikopter, ku edhe mundën të shihnin vendin.
Gjëja e parë që më tha kur helikopteri u ul në tokë, është që ne po qëndronim mbi një minierë ari. Kur u kthye në Francë, ai nxiti vizitën e parë të grupit Accor në Shqipëri. Në fakt, ata e pohuan që nuk e kishin menduar ndonjëherë operimin e tyre këtu, por gjatë vizitës u mahnitën, e sot kanë disa kontrata këtu”, deklaroi Rama për median franceze.
Ndërkohë që Marrëveshje mes “Rock of Kavaja” shpk me “Accor” dhe “Pullman” është një akt mes palëve private, duket se gjigandët hotelierë as nuk kanë pasur pikën e dyshimit për aktivitetin e dyshuar kriminal të investitorit shqiptar dhe se ata kanë besuar në filtrimin e biznesmenit shqiptar nga kryeministri Edi Rama, i cili, në fund të ditës, e kishte pajisur me lejen përkatëse të ndërtimit.
Pra, Rama është njeriu që e ka implikuar direkt Presidentin e Francës tek investimet e kartelit të drogës së “Pojës”. Macron ka sjellë kompanitë serioze të turizmit dhe Rama i ka cuar ato tek pronat e kartelit të drogës së Pojës.
Dosja e Antimafias italiane
Dosja e Antimafias Italiane për grupin e Durrësit, “Troplini”, nxori në pah aftësitë tipike të Edi Ramës si një drejtues i “botës së tretë”, i cili bashkon projektet turistike të gjigandëve ndërkombëtarë me investitorë që dyshohet se drejtojnë organizata të fuqishme kriminale.
Në Shtator të vitit 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), një strukturë e drejtuar nga kreu i qeverisë, Rama, miratoi një numër rekord lejesh ndërtimi, kryesisht në Tiranë dhe në zonën bregdetare.
Mes tyre, Rama firmosi lejen e zhvillimi për objektin: “Hotel 10 dhe 11 kate mbitokë me 3 kate shërbimi nëntokë”, me vendndodhje Shkëmbi i Kavajës, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Rock of Kavaja” sh.p.k.”.
Kompania “Rock of Kavaja” e Elvis Doçit mori leje ndërtimi nga Rama për hotel, në 25 Shtator 2024
Kompania investitore ishte krijuar vetëm dy muaj para miratimit të lejes, në Korrik 2024. “Rock of Kavaja” shpk u themelua nga një subjekt tjetër tregtar, “Eldemar Construction”. Pronari fundor i të dy kompanive është Elvis Doçi, i njohur ndryshe edhe si “Visi i Pojës”, një personazh kyç në organizatën e dyshuar kriminale “Troplini” me seli kryesore në qytetin e Durrësit.
Vetëm pak javë pas miratimit të lejes së ndërtimit nga Edi Rama, pronari i “Rock of Kavaja” vendos të shesë 60 përqind të aksioneve tek shoqëria farmaceutike “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit, një personazh me të shkuar problematike, i arrestuar në vitin 2015 për mashtrim me rimbursimin e ilaçeve dhe më pas i liruar nga akuzat.
Sipas kontratës së siguruar nga “Boldneës.al”, rezulton se Çausholli ka blerë aksionet e kompanisë që sapo kishte fituar lejen e ndërtimit për hotel në bregdet për vetëm 60 mijë lekë të reja.
Kontrata mes “Eldemar Construction” të Elvis Doçit dhe “CFO Pharma” të Nadir Çaushollit
Në 21 Prill 2025, Prokuroria e Anti-mafias së Barit bëri publike në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në Tiranë, rezultatet e një operacioni në shkallë të gjerë kundër një grupi italo-shqiptar, të përfshirë në trafikimin e lëndëve të forta narkotike nga Amerika Latine në drejtim të Europës, e kryesisht Italisë.
Sipas dosjes italiane, të siguruar nga “Boldneës.al”, rezulton se sipërmarrësi Elvis Doçi, ka luajtur për shumë vite rolin e ndërmjetësuesit për blerjen e kokainës, kryesisht në Kolumbi, për llogari të organizatës së drejtuar nga daja i tij, Xhevdet Troplini, i njohur edhe si “Poja”.
Elvis Doçi (Visi i Pojës) është pjesë e dosjes hetimore të Antimafias italiane
Roli i Elvis Doçit, si numri 2 i organizatës së dyshuar kriminale, është sqaruar për autoritetet italiane nga i penduari i drejtësisë shqiptare, Nuredin Dumani, si edhe nga hetimet e kryera nga Anti-Mafia e qytetit jugor të Italisë.
Në Durrës, “Visi i Pojës” ka krijuar fizionominë e një biznesmeni në fushën e ndërtimit. Ai rezulton pronari i vetëm i shoqërisë “Eldemar Construction”, e krijuar në vitin 2014.
Në 9 Shtator 2024, Elvis Doçi, në cilësinë e ortakut të vetëm të “Rock of Kavaja” shpk, autorizon këtë kompani që të aplikojë pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) për miratimin e lejes së ndërtimit për një hotel të lartë në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës, mbi një truall në pronësi të “Eldemar Construction” shpk, gjithashtu në pronësi të tij.
Vetëm dy javë pas aplikimit, kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kreut të Këshillit të Rregullimit të Territorit, miraton kërkesën e “Rock of Kavaja” shpk, në pronësi të Elvis Doçit (Visi i Pojës).