PD ankimon rezultatin edhe në Korçë, provat e masakrës zgjedhore

Partia Demokratike kërkon zyrtarisht shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun e Korçës.

Kërkesa është depozituar në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve, duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë qarkun.

Në dokumentin e dorëzuar në KAS parashtrohen edhe provat për masakrën zgjedhore në këtë qark.

Kështu, fillimisht përmendet përdorimi sistematik i administratës publike dhe strukturave shtetërore në funksion të interesave elektorale të PS.

Më pas përdorimi i kësaj administrate dhe strukturave publike për të ndikuar tek vota e diasporës.

Në dokument thuhet madje se i gjithë aparati shtetëror u angazhua për të siguruar vetëm 36 vota të burgut të grave në Pojskë. Si pasojë, rezultati ishte 100 përqind në favor të PS-së.

Në dokumentin e PD citohet edhe raporti paraprak i OSBE/ODIHR që theksonte se qarku i Korçës ishte ndër rajonet që shfaqi problematika serioze në këto zgjedhje.

Dokumenti i ndërkombëtarëve nënvizonte se në Korçë pati pretendime për blerje votash dhe përfshirje të strukturave të patronazhistëve për të bërë presion mbi qytetarët.

Më tej, në ankesën e PD thuhet se është dokumentuar me fakte konkrete shpërndarja e miellit për vota në zonën e Maliqit.

Po ashtu me raste konkrete përmenden favoret nga zyrtarët e partisë shtet për bizneset e zonave të ndryshme.

Asfalti elektoral dhe investimet para zgjedhjeve, të ndaluara me ligj, janë pjesë e kësaj dosje.

Në dokumentin e PD përmenden edhe punësimet e reja në administratë gjatë fushatës për blerje votash.

Një pjesë të rëndësishme në këtë dosje zë pjesa e manipulimit të votës së diasporës, duke nënvizuar se një e treta e të gjithë zarfeve të Greqisë erdhën në një ditë të vetme.

Farsa elektorale u finalizua në ditën e zgjedhjeve, thekson dokumenti voluminoz.

Kujtojmë se PD ka nisur të kërkojë pavlefshmërinë qark pas qarku pas masakrës zgjedhore të 11 Majit 2025.

About Redaksia

Check Also

Protestuesit nisin marshimin, brohorasin në kor: Arrestoni Ramën!

Pas përfundimit të protestës para Kuvendit, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, duke …