CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Kur Maduro i heq gëzimin e fitores Ramës

Nga Agim NESHO

Rama asnjëherë nuk e ka fshehur se beteja e tij është me historinë. Ai ka arritur deri tani të thyejë disa rekorde në qeverisjen e tij “vizionare”. Ai ishte i pari nga kryeministrat në botë që lyen zyrën e tij me vizatime, duke e kthyer atë në një sallon arti; ishte i pari që prishi protokollin zyrtar duke veshur atlete edhe në takimet me zyrtarë (Zv. Presidenti Pence në Mal të Zi bëri gabim që e hoqi nga foto zyrtare e takimit); ai ishte i pari që me projektin politik të kanabisit e ktheu vendin e tij në një narko-shtet (kur liderat e tjerë ose e kanë luftuar ose e kanë toleruar drogën në vendet e tyre); ai ishte i pari që fiton mandatin e katërt me rritje të përfaqësimit në parlament; ai ishte i pari që arriti të korruptojë zyrtarin e lartë të FBI-së, të superfuqisë botërore, kur zakonisht ndodh e kundërta.

Por gëzimi i të gjithë këtyre sukseseve, që u duartrokit nga ata që janë gëzuar me marrje të territoreve shqiptare për ti kthyer në burgje apo të tjerë që tallen me shqiptarët por rrihen nga gratë e tyre, u thye kur një tjetër rilindas në Venezuelë, Maduro, fitoi zgjedhjet me 83 % të votave. Dashuria e popullit venezuelian, në varfëri ekstreme por krenar për udhëheqësin e madh dhe me vizion, ishte e jashtëzakonshme. Rama e dinte që për të Maduro ishte një rrezik, prandaj përpara zgjedhjeve ka zëra të dyshimtë që coi edhe mafian shqiptare për të prishur zgjedhjet.

Të dy udhëheqësit e shquar, Rama dhe Maduro, janë produkt i dashurisë popullore në vite. Rama u ngrit me sopatë në dorë, nga lakuriqësia në veshjet e potureve të sulltanit por me një vizion të qartë dhe besim se Amerika e gradacelave u bë nga Al-Capone dhe shokët e tij. Shembullin e saj do ta zbatojë në Shqipëri. Maduro e ka nisur nga shofer autobuzi, duke ngjitur shkallët me militantizëm dhe besnikëri ndaj udhëheqësit të madh Hugo Chavez.

Të dy e urrejnë opozitën, por ndërsa Maduro i vret apo i zhduk, Rama ka vetëm kënaqësinë ti mbajë në arrest shtëpie ose në procese gjyqësore pa fund. Rama ja dedikoi fitoren Evropës së Bashkuar dhe i detyron udhëheqësit evropianë të firmosin në yllin e tij, ndërsa Maduro ja dedikon fitoren Bolivarit dhe projektit për të bashkuar vendet e Amerikës Latine në të ashtuquajtën federatë Bolivariane.

Të dy, si Maduro dhe Rama, pavarësisht njohurive, kanë pasur dëshirën për të shërbyer si Ministra të Jashtëm për të shkëlqyer me madhësinë e trupave të tyre në sallonet e diplomacisë botërore.

Të dy kanë pasion për të mbrojtur popujt e tyre të varfër, por me një ndryshim që Maduro ju ka kthyer tollonat, ndërsa Rama i ndjek me miliona nga Shqipëria.

Të dy udhëheqësit janë të talentuar duke bërë një politikë efikase, duke dhënë pasuritë e popullit për pushtet politik: Maduro rezervat e arit dhe naftën, Rama territore dhe projekte të përbashkëta me sheikët arabë.

Fitorja e merituar e Maduros me 83 % ishte një goditje e pamerituar për Ramën dhe gjithë mbështetësit e tij që e duartrokisnin edhe kur ai i përkëdhelte si çyrykë.

Por këtu do të jemi. Shikoni si do të dalin zgjedhjet për mandatin e pestë për Edi Ramën, afër 98.8 %. Atëherë, Maduro të ketë kurajon të pranojë sfidën.

About Redaksia

Check Also

Pakësimi i popullsisë është kërcënimi më i madh për t’u asgjësuar si komb!

Nga Enver BYTYÇ! Mundet që një vend të pushtohet edhe nga një pushtues i egër. …