CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Berisha 1 minut heshtje për Bujar Bukoshin: Dha një kontribut të madh në çështjen e Kosovës dhe në çështjen shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur 1 minutë heshtje në nder të ish-kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshin.

Berisha gjatë konferencës për mediat tha se, Bujar Bukoshi dha një kontribut të madh në çështjen e Kosovës dhe në çështjen shqiptare.

“Një lajm i trishtë vjen nga Prishtina.

Një personalitet i shquar, një atdhetar i flaktë, një shtetar i formuar, i përkushtuar, ish-kryeministri i parë i Republikës së Kosovës, kryeministër i qeverisë së parë në ekzil i Kosovës, bashkëpunëtori më i afërt, më i ngushtë i presidentit Rugova, Bujar Bukoshi u nda sot nga jeta.

Bujar Bukoshi dha një kontribut madhor në çështjen kombëtare. Krahas presidentit Rugova, ai luajti një rol të madh, së pari në organizimin e pushtetit paralel të shqiptarëve të shtypur në Kosovë, pushtet i shkëputi ata përfundimisht nga shteti i pushtuesve.

Por Bujar Bukoshi një intelektual atdhetar, diplomat i aftë, e përfaqësoi Kosovën në të gjitha institucionet dhe kancelaritë e vendeve të lira.

Paraqiti së bashku me presidentin Rugova çështjen e saj dhe mbështeti fuqishëm në kohën e duhur krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ishte pikërisht nën udhëheqjen e presidentit Rugova dhe qeverisë së tij, koha në të cilën njësitë e para të kësaj ushtrie u stërvitën në qendra ushtarake të ndryshme të Shqipërisë.

Ministria e Mbrojtjes e kësaj qeverie organizoi gjatë luftës forcat e armatosura të qeverisë së Kosovës, të cilët luftuan bashkërisht në beteja të ndryshme me njësitë e UÇK-së.

Bujar Bukoshi bëri gjithçka që gjatë luftës, UÇK-ja dhe forcat e mbrojtjes të qeverisë së Kosovës të bashkërendojnë veprimet, luftimet.

Pra ai dha një kontribut të madh në çështjen e Kosovës dhe në çështjen shqiptare.

Me këtë rast unë i shpreh popullit të Kosovës, familjes Bukoshi, zonjës Bukoshi dhe fëmijëve të tyre, ngushëllimet më të ndjera të miat, të PD-së dhe opozitës.

U ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të këtij statisti të shquar të kombit shqiptar”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Banda kriminale shtetërore që po kryen vrasje dhe gjobëvënie

Pas vrasjes së Artan Myrtajt në Sarandë ditën e djeshme, mëngjesin e kësaj të hëne …