Trump mbyll të gjitha zyrat e USAID jashtë SHBA, programet i kalojnë Departamentit te Shtetit

Administrata Trump ka urdhëruar mbylljen e të gjitha pozicioneve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) jashtë vendit deri më 30 shtator, duke zhvendosur kontrollin e programeve të ndihmës së huaj drejt Departamentit të Shtetit.

Sipas një kabllogrami zyrtar të Departamentit të Shtetit, të siguruar nga ‘The Guardian’, sekretari i shtetit Marco Rubio ka urdhëruar shuarjen e plotë të stafit ndërkombëtar të USAID, ndërsa përgjegjësia për programet e ndihmës së jashtme do të kalojë nën kontrollin direkt të Departamentit të Shtetit.

Ky vendim prek mijëra punonjës të USAID në mbarë botën, përfshirë diplomatët e shërbimit të jashtëm, kontraktorët dhe stafin e punësuar vendas në më shumë se 100 shtete.

Ambasadorët amerikanë janë udhëzuar të përgatiten për ndryshimet që do të hyjnë në fuqi brenda katër muajve.

“Në kuadër të Direktives së Sigurisë Kombëtare Nr. 38, Departamenti i Shtetit po thjeshton procedurat duke shuar të gjitha pozicionet ndërkombëtare të USAID,” thuhet në dokument, duke shtuar se ‘departamenti do të marrë përsipër përgjegjësinë për programet e ndihmës së jashtme të menaxhuara më parë nga USAID’, duke filluar nga 15 qershori.

Departamenti i Shtetit nuk ka komentuar mbi këtë zhvillim, por sipar The Guardian Vendimi është firmosur edhe nga Howard Van Vranken, ish-ambasador në Botsvana.

Ky hap vjen pas një pastrim drastik që ndodhi në gjashtë javët e para të presidencës Trump, gjatë të cilit administrata, përmes iniciativës së quajtur ‘Efikasiteti i Qeverisë’ (Doge), eliminoi 83% të programeve të USAID.

Në mars, Rubio njoftoi se nga 6,200 programet e agjencisë në mbarë botën, 5,200 ishin mbyllur, ndërsa programet e mbetura do të kalonin nën administrimin e Departamentit të Shtetit.

Mbylljet pasuan një urdhër ekzekutiv të firmosur nga Trump në ditën e parë të kthimit në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar, që pezullonte përkohësisht të gjitha fondet e ndihmës së jashtme deri në një rishikim të plotë.

Megjithëse një përjashtim u dha më vonë për ndihmat humanitare, dyshime mbi të ardhmen e USAID u ngritën pasi faqja zyrtare e saj u zhduk më 1 shkurt.

Dy ditë më vonë, stafi mori një email ku u thuhej të mos paraqiteshin në punë, pasi gjatë fundjavës serverët ishin çmontuar dhe drejtuesit kryesorë ishin pushuar ose pezulluar.

Rubio e shpalli veten administrator të përkohshëm të agjencisë, pasi stafi u bllokua nga hyrja në selinë e saj në Uashington./The Guardian

About Krye Redaktor

Check Also

Skandal/Njeriu i Tim Walz pas vrasjes së kongresmenes dhe plagosjes së senatorit demokrat

Autoritetet në Minnesota kanë shpallur në kërkim Vance Luther Boelter, 57 vjeç, një ish-anëtar i …