Masakra zgjedhore/ Këlliçi: Rinumërimi po zbardh manipulimin masiv të PS

Drejtuesi politik i PD në Tiranë, Belind Këlliçi, po ndjek hap pas hapi në pallatin e sportit ‘Farije Hoti’ në Tiranë vijimin e procesit të rivlerësimit të 1282 kutive të Tiranës, ku në një deklaratë për Syri TV, ka akuzuar Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për manipulim masiv të votës në zgjedhjet e 14 majit, duke e cilësuar procesin si një farsë elektorale që ka për qëllim deformimin e vullnetit të qytetarëve.

Këlliçi deklaroi se gjatë procesit të rinumërimit janë konstatuar raste konkrete ku PS-së i janë shtuar në mënyrë të paligjshme vota në kurriz të Partisë Demokratike, duke përmendur se vetëm në 14 kuti janë identifikuar 17 vota të manipuluara. Ai paralajmëroi se, nëse kjo tendencë vazhdon në të gjitha kutitë e Tiranës, mund të kemi të bëjmë me një vjedhje masive të votave në favor të mazhorancës.

Ai shprehet se, PD është e vendosur të ndjekë dhe të monitorojë çdo kuti votimi dhe të dokumentojë çdo manipulim, me qëllim që t’i shkojë deri në fund mbrojtjes së votës së qytetarëve dhe sigurimit të mandatit të 14-të në Tiranë, që sipas tij i përket kandidatit Ilir Alimehmeti.

“Deri tani, procesi po ecën me një ritëm shumë të ulët, shumë të ngadaltë, dhe për të paktën dy javët në vijim parashikohet që të jemi ende në proces rinumërimi. Deri më tani, në 14 kuti është evidentuar se PS ka përfituar 17 vota në mënyrë të paligjshme, pra komisionerët i kanë shtuar PS-së 27 vota. Diku tjetër i janë shtuar vota të pavlefshme ose të një subjekti tjetër. Nëse vazhdohet me këtë trend në 1,282 kutitë në total, është e pashmangshme që të kemi një sasi të madhe votash të vjedhura nga PS në qarkun e Tiranës.

Pa dyshim, PD-së deri tani i janë hequr dhe vjedhur vota. Janë hequr 4 vota si subjekt, dhe ne do të vijojmë ndjekjen kuti pas kutie. Ky është një proces që po ndiqet edhe online nga strukturat e PD-së dhe në faqen e KQZ-së.

Fokusi kryesor është dokumentimi i çdo parregullsie dhe marrja e mandatit të 14-të në kryeqytet, brenda farsës zgjedhore që ka ndodhur më 14 maj.

Sot, me provat që PD ka bërë publike votimi i njëjtit qytetar 3-4 herë në Elbasan, kthimi përmbys i kutive të votimit për të nxjerrë fletën dhe për të “verifikuar” vullnetin e qytetarëve sipas pamjeve të publikuara nga z. Berisha, faktet e pakontestueshme të presionit gjatë ditës së votimit, si dhe rasti i trenit bullgar në Peqin ku votohej me një fletë të vetme që nxirrej jashtë tregojnë se ky proces ka ndodhur paralelisht në të gjitha qarqet e Shqipërisë.

Të gjitha këto fakte mjaftojnë për të treguar se më 14 maj nuk ka pasur zgjedhje, por një farsë elektorale. Një shtet elektoral që punon ditën e zgjedhjeve për të organizuar një maskaradë të madhe, vetëm për të mashtruar opinionin publik dhe atë ndërkombëtar se në Shqipëri ka një demokraci funksionale me zgjedhje të rregullta. Kjo vetëm për t’i dhënë kësaj mazhorance edhe katër vite të tjera për të vjedhur vendin, dhe që Rama të vazhdojë të jetë kryeministër i vendit më të varfër në Europë, ndërkohë që udhëton me avion privat, merr pjesë në dasma miliarderësh dhe pi shishe vere që kushton 33 mijë euro në ditë.

Ndërkohë, fokusi ynë, brenda kësaj maskarade, është të mbrojmë çdo votë. Ne do të luftojmë votë për votë për të marrë mandatin e 14-të në Tiranë, i cili i përket Ilir Alimehmetit, dhe padyshim do të luftojmë për të evidentuar çdo parregullsi.

Kemi dëgjuar për një Task Forcë të SPAK për të hetuar krimet zgjedhore. Ka një javë që z. Berisha ka denoncuar me zë dhe figurë vjedhjen e votave dhe personat që kanë organizuar këtë, por asgjë nuk ka ndodhur. SPAK nuk ekziston. Task Forca nuk ekziston. Është thjesht një alibi për të hyrë në raportet burokratike, për të marrë rrogat e tyre ndërkombëtarët dhe për të vazhduar “qejfin” e tyre në raportet formale që bëjnë për Shqipërinë. Ndërkohë, Shqipëria po rrëshqet çdo ditë e më shumë drejt autokracisë, në një diktaturë modern”, u shpreh Këlliçi.

About Redaksia

Check Also

Banorja në Theth: Rama na tha kthejini djemtë nga emigracioni dhe ndërtoni! M’u thafshin duart për atë votë që dhashë!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka publikuar në Facebook një video ku një banore nga …