Dumani dhe Proda ‘ikin’ nga tryeza e Ambasadës Britanike. Balliu: Zgjedhjet në Shqipëri janë peng i krimit! SPAK mbrojtës i pushtetit!

Sot në Tiranë u zhvillua një tryezë diskutimi organizuar nga Ambasada Britanike dhe disa organizata joqeveritare me fokus zgjedhjet e 11 majit, ku morën pjesë kreu i SPAK, Altin Dumani, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Pas dhënies së deklaratave, Altin Dumani dhe Ilir Proda u larguan duke iu shmangur ballafaqimit me përfaqësuesit e opozitës në panel, Belind Këlliçi dhe Klevis Balliu.

Deputeti i zgjedhur, Klevis Balliu, theksoi se zgjedhjet në Shqipëri janë peng i krimit të organizuar, ndërsa drejtësia nuk po vepron ndaj provave dhe denoncimeve të opozitës. Ai akuzoi SPAK-un për mosveprim dhe për mbrojtje të pushtetit, jo të zgjedhjeve.

Balliu përmendi me emra bandat që kontrollojnë zonat elektorale, kërcënimet ndaj deputetes Albana Vokshi, legalizimet masive para zgjedhjeve dhe zyrat ilegale të fushatës së PS-së. Ai theksoi se vetëm eurodeputeti Fredi Beleri është dënuar për krime zgjedhore, ndërsa asnjë tjetër nuk ka marrë dënim.

Në përfundim të deklaratës së tij, Balliu citoi raportet e OSBE/ODIHR dhe Parlamentit Europian, të cilat theksojnë se “krimi i organizuar nuk lejon rotacionin politik” në Shqipëri.

Unë dua t’ju falënderoj shumë për këtë takim tejet të nevojshëm. Opozita vuan për të dalë në diskutim me palën përballë, për të nxjerrë në pah faktet dhe provat që ne kemi. Për hir të së vërtetës, sondazhet për institucionet që paraqiten në publik sikur bëjnë punë, janë bërë nga “Noriega” në vendin e vet sa herë ka dashur. Sondazhet nuk janë realiteti. Realiteti me të cilin përballemi sot, veçanërisht gjatë fushatave elektorale, është krejt ndryshe. Në të kaluarën përballeshim me deputetë të fuqishëm; sot përballemi me banda të fuqishme.

Të gjithë njerëzit, që nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë e deri te çdo deputet në Parlament, e dinë fare mirë se si janë ndarë zonat në Shqipëri në lidhje me krimin e organizuar: nga Troplinët në Durrës, Hajrët dhe Abdylajt, te Xhafajt e Vorës, e deri tek Bajrat e Shkodrës dhe Pëllumb Gjoka, i cili sot është në burg, jo si rrjedhojë e abuzimeve apo vjedhjeve elektorale, por si rezultat i zbardhjeve nga platforma SKY ECC.

E njëjta gjë vlen edhe për Çelën në Elbasan. Të gjithë këta emra i njohim ne dhe mediat, sepse janë ndër eksponentët më të mëdhenj të krimit të organizuar në Europë. Kjo është pohuar edhe në raportet ndërkombëtare. Disa raste duhet patjetër të bëhen publike.

Rasti i Vorës është domethënës: deputetja e PD-së, Albana Vokshi, bashkë me vajzën e saj të vogël, u kërcënuan para mediave. Duhet të dini se nga qendra e votimit, stacioni i policisë është vetëm 30 hapa larg dhe asnjë polic nuk guxoi të ndërhynte. Nuk i vë faj. Kur drekojnë me shefat e policisë, asnjë efektiv nuk ka guximin të ndërhyjë.

Rasti i Ergys Çyrbës: unë e kam denoncuar personalisht që në vitet 2018–2019 për lidhjet me struktura kriminale si Hajrët. Vetëm falë SKY ECC u bë publike që një deputet fshihte një vrasës, dhe se ky vrasës kishte aq shumë influencë sa ta zhvendoste nga numri 5 në numrin 3 të listës së PS. Kjo tregon qartë se listën e kandidatëve të PS-së e vendosin Hajrët. Kjo tashmë është e dokumentuar dhe e faktuar.

Këto janë disa nga arsyet pse zoti Dumani është larguar. Dumani ka pasur forca speciale në 12 qarqe – forca që i paguajmë ne, qytetarët, me taksat tona. Këto denoncime që bëj unë sot këtu, nuk janë detyrë ime personale, as e Partisë Demokratike – janë detyrë e institucioneve të drejtësisë, që është institucioni më i paguar në Shqipëri dhe që, për fat të keq, përveçse sulmon opozitën, nuk bën asgjë konkrete.

Për krime elektorale, në Shqipëri ka vetëm një të dënuar: eurodeputeti Fredi Beleri. Asnjë tjetër nuk është dënuar. Askush për dosjen e Dibrës. Por për këto dokumente dhe fakte që kemi publikuar, për shembull që Belinda Balluku ka bërë 800 legalizime në Fier, ose që bashkëpunëtorët e saj në Tiranë bëjnë legalizime një javë para zgjedhjeve, pse nuk i gjen dot SPAK?

Nëse ne gjejmë “Trenin Bullgar” në Elbasan, nëse kemi dokumente, video dhe prova për shitblerje dhe vjedhje votash në Petrelë, pse nuk i gjen dot SPAK? A nuk paguhet pikërisht për këtë?

Në këtë kontekst, jemi në një situatë tepër të rëndë për vendin tonë. Të gjitha problematikat që u ngritën nga paneli sot, tregojnë se ne nuk kemi më as ABC-në e zgjedhjeve. Ne nuk zgjedhim dot.

Zoti Këlliçi foli për transparencë dhe zyrat ilegale elektorale. Kush i ka paguar? Janë zyra pa logo, të padeklaruara, dhe u përdorën gjatë fushatës. Ne i kemi kapur në flagrancë – unë në Astir, Belindi në Njësinë 5. Brenda në ato zyra ndodheshin punonjës të administratës. Në rastin e Belindit ishte Erion Braçe; në rastin tim ishte Blendi Gonxhe – dy nga më të votuarit e PS-së në Tiranë.

U përmend edhe raporti i OSBE/ODIHR. Nga viti 2009 deri më 2013 kishim raportet më të mira. Sot kemi vetëm përkeqësim. Në fjalinë e parë pas zgjedhjeve, OSBE/ODIHR deklaroi se “me këto zgjedhje Shqipëria nuk hyn në Europë.” Edhe Komisioni i Parlamentit Europian, përmes kryetarit të delegacionit për vëzhgimin e zgjedhjeve, dha një nga deklaratat më të rënda që është dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri:

“Krimi i organizuar nuk lejon rrotacionin politik.”

Do të doja shumë që zoti Dumani të ishte sot këtu, që ta pyesja: në cilin vend të botës ndodh që sistemi i drejtësisë të fshehë 52 fletë-arreste për kriminelët më të rrezikshëm në Europë, për kartelin më të rrezikshëm – Troplinët? U prit të mbaronin zgjedhjet dhe të zgjidhej Arkend Balla.

About Redaksia

Check Also

Raporti i Komisionit Europian/ Zgjedhjet ishin të pabarabarta, korrupsioni i përhapur kudo

GJETJE E RAPORTIT Shqipëria ka mbajtur angazhim të lartë në procesin e integrimit evropian, teksa …