Lideri i opozitës, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët theksoi se, zgjedhjet u shndërruan në një farsë për shkak të ndikimit të krimit në disa qarqe. Ai njoftoi se opozita ka kërkuar të verifikojë disa zona ku krimi elektoral ka peshë të madhe, duke përfshirë Durrësin, Tiranën dhe Fierin.
Berisha denoncoi ndërhyrjen e një këshilltari të presidentit në KAS, i cili sipas tij po manipulon votat në favor të Edi Ramës. Procesi i verifikimit është në vazhdim dhe sipas tij është jetik për demokracinë shqiptare dhe besimin e qytetarëve te vota e lirë. Ai nënvizoi nevojën që ky proces të përfundojë sa më shpejt dhe me kujdes.
“Ky është vetëm një aspekt.
Unë deklarova serinë e faktorëve të cilat shndërruan zgjedhjet në farsë.
Këto janë gjetje post-votimi.
Tani, disa kryetarë qarqesh kanë kërkuar… nuk kemi kërkuar në gjithë Shqipërinë se kjo do donte një kohë shumë të gjatë, por kërkojmë në zonat, në të cilat ndikimi dhe pesha e krimit ka qenë më e madhe.
Është Durrësi që do i vijë radha, Tiranës do i vijë radha. Se Tirana u mor me rinumërimin, me kërkesat e kandidatëve, por do i vijë radhë. Fierit do i vijë radha.
Pra, në këtë formë.
Nuk është kërkuar, në disa raste KAS nuk ka pranuar, se edhe aty dora e zezë e një njeriu që nuk ka as ligj, as moral, që merr rrogën si këshilltar i presidentit dhe në kundërshtim me ligjin, që nuk i lejon të kryejë asnjë aktivitet tjetër, vazhdon në KAS si përfaqësues ekstremist i Edi Ramës. Dhe që i shpall të vlefshme dhe të pavlefshme sipas dëshirës së tij votat aty.
Pra, është një proces në vazhdim…
…Asnjë diskutim që do i vijë radha analizës së brendshme, por kompletimi i këtij proces është jetik. I demokracisë shqiptare, i opozitës shqiptare, i qytetarëve shqiptarë që besojnë te vota e lirë.
Pra kjo merr përparësi absolute.
Të përfundojë ky proces. Ky proces duhet të përfundojë.
Nuk do donim të zgjaste keq shumë dhe pikërisht për të mos tejkaluar shumë kohë, po jemi si më përzgjedhës se normalisht meriton nga qendra e parë e fundit të shqyrtohet.
Do shihni ju, kemi prapë.
Çështja e kutive të futura krahas Trenit Bullgar përbën një akt makabër për të manipuluar rezultatin”, u shpreh Berisha.
