Sot në mëngjes më doli përpara përgjigjia që kryeministri Rama i paskërka dhënë politikanit konstrovers Farage, lidhur me komentet e tij mbi deportimin e emigrantëve shqiptarë që kanë probleme me ligjin.
Pavarësisht përpjekjeve titanike për t’u hequr më anglez se vetë anglezët, përgjigjia e tij e e ka nxjerrë kryeministrin pikërisht ashtu siç është: një dallkauk politik që para se të merret me thelbin e problemit që ka shkaktuar vetë, vrapon të bëjë pazar për t’a mbuluar atë.
Ajo që fillon në dukje si një përpjekje për të vënë “nderin” e shqiptarëve në vend… përfundon në një ftesë për një “pseudo -duel kreshnikësh”… ku kundërshtarit në çdo rast i shkelet syri e premtohet fitore (lexo: fitim): qejf, gallatë dhe “miqësi” e përjetshme në Shqipëri…(ekperienca na tregon që këto “miqësira” të kryeministrit shpesh shoqërohen edhe me “trofe” te tjera).
Në gjithë këtë narrativë iluzive me ornamente “humori anglez” e cila me demek synon të godasë diskriminimin ndaj shqiptarëve, kryeministri nuk bën gjë tjetër përveçse flirtit të radhës… një flirt që shërben vetëm për të mbuluar shkakun që e ka pjellë këtë krizë: kryeministri dhe qeverisja e vet janë shkaktarët e largimit masiv të shqiptarëve.
Nëse duhen fakte, le të fillojmë nga “nëna” e fakteve:
Shqipëria është boshatisur me një ritëm marramëndas në dekadën e fundit.
Ajo ka humbur popullsinë e vet më vitale.
Ky është realiteti objektiv që e ndiejmë të gjithë në lëkurë, një tregues i frikshëm që duhet të na vërë në sedër si shqiptarë, të na ngrejë në këmbë secilit dhe të na bëjë të reagojmë ndaj shkakut të kësaj hemoragjie demografike.
Vetëm pasi të jemi marrë seriozisht me realitetin tonë objektiv, do të kemi luksin dhe nderin për të sfiduar perceptimet subjektive të kujdo.
Bashkatdhetarëve të mi që ekzaltohen se kryeministri shqiptar ua “mbrojti nderin” duke i ofruar Nigel Farage argëtim non stop në Shqipëri , u rikujtoj se nderi i shqiptarëve nuk ruhet nga psedo dueli me një politikan periferik në Angli, por nga “thyerja e hundëve” që shqiptarët duhet t’i bëjnë regjimit që po i përzë çdo ditë nga atdheu.