Ilda Zhulali, eksperte e integrimit dhe drejtuese e Departamentit të Politikës së Jashtme në Partinë Demokratike, bëri një analizë të qartë dhe të thelluar mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e zhvillimeve më të fundit gjeopolitike në Evropë.
Në një intervistë në edicionin e lajmeve të pasdites, në SYRI TV, ajo nënvizoi se agresioni rus në Ukrainë dhe aplikimet e vendeve si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kanë ndryshuar dinamikat e brendshme të BE-së, duke sjellë një vëmendje të re edhe për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kuadër, BE ka ndërmarrë një sërë nismash për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të rajonit, duke përfshirë takime të shpeshta politike dhe miratimin e një plani ekonomik të rritjes, me një paketë prej 6 miliardë euro, e ndarë në grante dhe kredi të buta. Megjithatë, Zhulali thekson se kjo mbështetje nuk vjen pa kushte, përkundrazi, ajo është e lidhur ngushtë me respektimin e standardeve demokratike dhe funksionimin e shtetit ligjor, ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë thelbësore.
Duke iu referuar Shqipërisë, Zhulali shpreh shqetësim për mungesën e certifikimit të zgjedhjeve të 11 majit dhe problematikat e ngritura nga raporti i OSBE-ODIHR dhe institucionet evropiane, të cilat, sipas saj, vënë në pikëpyetje legjitimitetin e procesit zgjedhor dhe përbëjnë një pengesë serioze për ecurinë e integrimit të vendit në BE.
“Bëre një pasqyrë të plotë të situatës ku ndodhet rajoni. Në fakt, Bashkimi Evropian, që pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe aplikimit të Ukrainës por dhe Gjeorgjisë, Moldavisë për tu anëtarësuar në BE por dhe me dëshirën dhe ambicien për të përshpejtuar këto procese, pa që dhe në Ballkanin Perëndimor duhet të jepte një nxitje më të madhe dhe kjo ishte një mundësi që i ofrohej gjithë rajonit për të gjitha vendet që kishin seriozisht anëtarësimin në BE.
Për ta kapur këtë moment, si moment fatlum dhe jo si një pengesë dhe prandaj nisën këto takimet e shpeshta, por jo vetëm takimet por BE ka përgatitur dhe atë që quhet plani ekonomik i rritjes që është një paketë shumë e rëndësishme ekonomike. Bëhet fjalë për 6 miliardë euro që do të disbursohen në dy forma. 2 miliardë do të jepen në formë grantesh dhe 4 miliardë të tjera në formë kredish të buta. Por këto vijnë gjithmonë me kushte.
BE nuk ka vendosur ti anëtarësojë vendet e balkanit pa kushte thjesht sepse ka një moment gjeopolitik, por tregon se do ta përshpejtojë këtë proces në rast se këtu vendosen disa standarde minimale të funksionimit të shtetit. Këto standarde minimale fillojnë me Shqipërinë me një proces normal zgjedhor. Fatkeqësisht Shqipëria ende nuk i ka të certifikuara zgjedhjet e 11 majit, por të gjitha sinjalet na çojnë se ky certifikim nuk do të jetë komod për qeverinë shqiptare.
Kjo pasi, gjetjet e raportit paraprak të OSBE-ODIHR, por edhe diskutimi në Parlamentin Evropian, në asamblenë e Këshillit të Evropës, sot në asamblenë kombëtare të OSBE, ka nxjerrë në pah parregullsi të tilla që e pamundësojnë certifikimin e këtyre zgjedhjeve si të lira dhe të ndershme”, tha Zhulali.