Xabi Alonso flet për Mbappe, Carvajal, Botërorin e Klubeve dhe për lojën me Juventusin

Xabi Alonso ka folur në konferencë për shtyp pak orë para sfidës me Juventusin, e vlefshme për të tetën e finales së Botërorit të Klubeve, e cila do të luhet sonte në “Hard Rock Stadium”.

Trajneri i Real Madridit është përballur me plot 22 pyetje, duke i prekur krejt temat e momentit: gjendja fizike e Mbappes, përfshirja e të rinjve, rikthimi i Carvajal e Militao, përdorimi i dronëve në stërvitje, presioni i turneut dhe roli i tij i ri në krye të klubit më të titulluar botëror.

Sa i përket lojës me “Bianconeri”, ai ishte i qartë: “Në këtë pikë të garës fillon ajo thënia: ‘brenda ose jashtë’. Do të luajmë kundër një skuadre të madhe, nevojitet ta përdorim kokën (mendjen), futbollin dhe koncentrimin. Jemi përgatitur mirë dhe jemi gati.”

Prezenca e Mbappes mbetet tema më e diskutueshme: “Ai është më mirë, po flasim me të çdo ditë. Do të vendosim sot, por ka shumë mundësi që do të luajë.”

Nga tabori i lëndimeve arrijnë lajme të mira: “Carvajal e Militao janë ftuar. T’i kesh afër është e rëndësishme, edhe pse kanë nevojë për kohë për ta rigjetur ritmin.”

Sa u përket të rinjve: “Prioritet është të fitojmë, por natyrisht me ndihmën e akademisë. Gonzalo Garcia po bën mirë, Castilla ofron gjithmonë alternativa. Të rinjtë meritojnë mundësi.”

Xabi më pas ka folur edhe për përdorimin e dronëve në seanca stërvitore: “I përdornim edhe në Leverkusen. Duhet të studiohen distancat, që ta kesh një perspektivë ndryshe.”

Rreth aventurës së re në Real Madrid: “Jam vetëm në javën e tretë. Është një fillim i ri, ka shumë për t’u ndërtuar. Por, e shoh raportin dhe marrëdhëniet që rriten çdo ditë. Jam i kënaqur.”

Dhe në fund rreth dyshes Vinicius – Mbappé: “Duam ta shprehim një ide kolektive të fortë, por do të jenë talentet e mëdha që do ta bëjnë diferencën. Mbappe e ka tashmë lidershipin, por të gjithë duhet të kontribuojnë.”

About Redaksia

Check Also

Tirana fiton në derbi, mund pastër Partizanin

Tirana tregon forcën në derbin ndaj Partizanit, teksa në “Air Albania” triumfoi me shifrat 0-3. …