Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta teksa e cilëson SPAK, një organizatë kriminale, thotë se vazhdon të shpërndajë dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera me paratë e pista të inceneratorëve, përfshirë dhe televizionin publik shqiptar, me argumentin që Prokuroria e Posaçme përdor, se kanë qenë autoritetet amerikane që kanë përmendur emrin e tij për një kartë bankare të padeklaruar.
Ish-kreu i shtetit shqiptar, teksa ka publikuar edhe përgjigjen e autoriteteve samerikane, lidhur me përdorimine kësaj karte bankatre, thotë se SPAK del kaq zbuluar në aktivitetin e tij kriminal që nuk ka lidhje me hetimin ndaj tij, por operon vetëm me urdhrin politik nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Reagimi
Organizata kriminale SPAK vazhdon të shpërndajë dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera me paratë e pista të inceneratorëve, për fat të keq edhe në Televizionin Publik Shqiptar (RTSH), sikur gjoja, autoritetet amerikane kanë përmendur emrin tim për një kartë bankare të padeklaruar.
Në respekt të së vërtetës dhe të ligjit, por edhe të mos lejimit të mëtejshëm të diskreditimit me qëllim të autoriteteve amerikane nga ana e SPAK, vetëm në funksion të agjendës së Narkoregjimit për asgjësimin e opozitës së vërtetë politike, po publikoj sot të plotë përgjigjen e autoriteteve amerikane, në lidhje me çështjen dhe përdorimin e kartave bankare.
SPAK është kaq i zbuluar në të gjithë aktivitetin e tij kriminal që nuk ka lidhje me hetimin, por vetëm me urdhrin politik nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, sa është i obsesuar të më mbajë mua të lidhur në çift me Monikën (SPAK njësoj si Pilo Peristeri që përpiqej të mbante çiftet me dhunë), duke shkruar qëllimisht edhe në akuzën zyrtare të 26 Majit statusin tim si i martuar, kur kjo marrëdhënie nuk ekziston prej kohësh në gjendjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe ata e dinë shumë mirë.