Zjarri shkrumboi të gjitha mbetjet që ndodheshin në ambientet e inceneratorit, duke shkaktuar një situatë alarmante për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Pirgu përbëhej nga mbetje urbane të grumbulluara nga Bashkitë e Elbasanit, Gramshit, Përrenjasit, Librazhdit, Cërrikut, Belshit, Peqinit dhe Rogozhinës. Zjarri nisi pasditen e djeshme dhe shtëllunga të dendura tymi mbuluan qytetin dhe zonat përreth, duke krijuar një atmosferë të rëndë dhe të dëmshme për banorët.
Pas ngjarjes, prokuroria e Elbasanit ka regjistruar një dosje të re hetimore kundër zyrtarëve që menaxhojnë inceneratorin, duke hedhur dyshime për zjarrvënie të qëllimshme. Hetimet janë përfshirë për veprat penale “Zjarrëvënie të qëllimshme”, “Shpërdorim detyre”, “Keqmenaxhim të mbetjeve urbane” dhe “Ndotje të ajrit”. Mësohet se një person dyshohet se ka hyrë në ambientet e inceneratorit para ndezjes së zjarrit.
Në ditët në vijim pritet të thirren për marrje në pyetje drejtuesit e “ECO-ELB” dhe punonjësit që ruajnë perimetrin e sigurisë së inceneratorit. Hetimet po zhvillohen paralelisht edhe me një dosje tjetër që prokuroria ka në proces për këtë impiant.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm Bashkia e Elbasanit ka kryer 239 transaksione me shoqërinë “ECO-ELB” gjatë viteve 2022-2025, me një vlerë totale mbi 2.4 miliardë lekë të vjetra, për katër shërbime, përfshirë procesin e djegies së mbetjeve — shërbim i cili, sipas burimeve, është kryer shumë pak gjatë këtyre viteve.
Transaksione të konsiderueshme janë bërë edhe nga bashkitë e tjera të qarkut: Gramshi (72 transaksione, 209 milion lekë), Librazhdi (65 transaksione, 265 milion lekë), Përrenjas (71 transaksione, 223 milion lekë), Cërrik (71 transaksione, 308 milion lekë), Belsh (72 transaksione, 198 milion lekë), Peqin (66 transaksione, 298 milion lekë) dhe Rogozhina (12 transaksione, 187 milion lekë).
Ngjarja e rëndë e djeshme ka tronditur komunitetin lokal dhe ka vënë në qendër të vëmendjes menaxhimin e mbetjeve urbane në rajon, duke shtuar presionin mbi institucionet për zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësive.