Deputeti Qani Xhafa, gjatë fjalës së tij në seancën plenare të zhvilluar ditën e sotme, preku një çështjen e inceneratorit të Elbasanit i cili prej tre ditësh po digjet. Ai bëri me dije se, direkt pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak, i është vënë zjarr fushës së mbetjeve pranë landfillit, një zonë që është kthyer në një metalurgji të dytë.
Deputeti iu drejtua qeverisë me thirrjen që të bllokojë atë fushë dhe të gjejë një vend të përshtatshëm për trajtimin e mbetjeve, duke theksuar nevojën për përgjegjësi dhe transparencë nga ana e institucioneve.
“Unë ju bëj me dije se, direkt pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak, i është vënë zjarr fushës së mbetjeve pranë landfillit, i cili është kthyer në një metalurgji të dytë. Një ditë pasi Prokuroria e Elbasanit thirri 21 persona, nënpunës të Bashkisë Elbasan dhe punonjës të inceneratorit, pikërisht për zhdukjen e provave, është vendosur zjarri. Zjarri është i qëllimshëm. Unë e kam paralajmëruar më parë se në Elbasan do të kemi një katastrofë të rëndë mjedisore.
Teatri që bëri Kryeministri në Cerrim, duhet të fillonte në incenerator, për t’u kërkuar falje banorëve për katastrofën e krijuar. I bëj thirrje qeverisë që ajo fushë të bllokohet dhe të gjendet një vend i përshtatshëm për mbetjet”, tha Xhafa.