Hipokrizi në emër të barazisë – racizmi politik i radhës

Nga Alba KEPI

Kur një profesioniste emërohet ministre apo zëvendësministre falë aftësive të saj si mjeke, inxhiniere, juriste apo ekonomiste – kjo është lajm. Kur dikush emërohet thjesht për t’u përdorur si dekor propagandistik për të shitur barazi dhe përfaqësim etnik, kjo është fyese. Më keq se kaq: është racizëm me dorashka të bardha.

Kryeministri e ka kthyer përfaqësimin e pakicave në instrument të fëlliqur propagande. Çdo emërim që nuk buron nga meritokracia, por nga llogaritë e errëta të imazhit politik, është një përdhosje e dinjitetit të atyre komuniteteve që ai pretendon se po i “çliron”.

Ky lloj përdorimi i njerëzve – sipas përkatësisë etnike, gjinore apo sociale – për të larë mëkatet e korrupsionit, skandaleve e dështimeve, është më i rrezikshëm se racizmi vulgar. Sepse vjen i ambalazhuar me fjalë të mëdha, me buzëqeshje të rreme, me flamuj të rremë “përparimi”. Në fakt, është një shkelm ndaj vetë dinjitetit të atyre që duan të arrijnë me punë, jo me servilizëm partiak.

Shqipëria ka plot profesionistë romë, egjiptianë, grekë, maqedonas, arumunë – qytetarë të denjë, profesionistë të suksesshëm, të cilët nuk kanë kërkuar asnjëherë lëmoshë për përfaqësim, por kushte të barabarta për të ndërtuar jetën e tyre. Ata nuk kanë nevojë të shfaqen si trofe në skenën boshe të pushtetit – sepse janë më shumë se kaq.

Mjaft me përdorimin e njerëzve si vegla për të mbuluar dështimet. Mjaft me racizmin e butë që vjen nga maja e shtetit dhe maskohet si “integrim”. Ky nuk është progres. Është poshtërim.

About Redaksia

Check Also

Dështimi i radhës së vizionit të Ramës dhe përshtatjet e kameleonit

Nga Agim NESHO Rama e kishte shprehur qartë në Romë se “Nuk duhet të lejojmë askënd …