Kush i ka 10 kapanonet që ia “rrëmbeu” Rama? E moshuara: Shita bagëtitë për t’i vendosur!

Në mes të përplasjes politike mes qeverisë dhe prokurorisë për ndërtimet në Parkun Kombëtar të Thethit, një grua e moshuar del në qendër të vëmendjes si pronare e 10 kapanoneve që kryeministri Edi Rama i ka shpallur si “krim mbi natyrën”.

Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Anila Hoxha per Top Channel, Prokuroria e Shkodrës ka vendosur të mos nisë hetim penal, pasi kapanonet janë vendosur në pronën e shtetases Lene Prroni një tokë e trashëguar brez pas brezi, pa dokumente pronësie të regjistruara.

Prroni ka deklaruar se kishte kërkuar leje ndërtimi nga Bashkia Shkodër, por iu komunikua se kjo nuk ishte e mundur pa dokumentacion pronësie. Ajo ka sqaruar se objektet janë pa themele, pa beton, dhe sipas njohurive të saj, për struktura të tilla nuk nevojitet leje ndërtimi.

Në dëshminë e saj, e moshuara thotë se paratë për vendosjen e kapanoneve i ka marrë borxh nga të afërmit. Dikur, kishte 300 krerë bagëti në Dukagjin, por u detyrua t’i shesë të gjitha, pasi nuk kishte çoban për t’u kujdesur për to.

Megjithatë, ndërtimet janë kthyer në një kauzë politike. Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar kapanonet si ndërtim të paligjshëm që dëmton një zonë të mbrojtur dhe ka akuzuar prokuroren e çështjes, Elsa Gjeli, për mosveprim. Ai njoftoi se Ministria e Drejtësisë do të bëjë një kallëzim ndaj saj pranë KLP-së, duke e quajtur vendimin e prokurorisë “të dëmshëm për interesin publik”.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Shkodrës mbetet në qëndrimin e saj: ndërtimet janë të përkohshme, pa themele dhe nuk përbëjnë objekt ndërtimi sipas ligjit. Por duket se ligji nuk është më i rëndësishmi në këtë histori, në qendër është vullneti i qeverisë për të treguar forcë mbi një grua që thjesht donte të ruante bagëtinë.

About Redaksia

Check Also

“Flamingo Mirror” si propaganda në pasqyrë

Nga Luçiano BOÇI Rama premton se “brenda disa javësh” do t’u tregojë shqiptarëve transparencën për …