Berisha publikon shkeljet me votën e diasporës: 18% e zarfeve nuk mbërriti në KQZ, DHL i shpërndau edhe pas ditës së votimit

Lideri i opozitës, Sali Berisha, publikoi sërish shkeljet e konstatuara në zgjedhjet e 11 Majit. Në konferencën me gazetarët, Berisha tha se, 18% e zarfave për disporën, nuk mbërriti në KQZ, ndërsa DHL i shpërndau edhe pas ditës së votimit.

“Por, një problem tjetër themelor është farsa zgjedhore 11 maj 2025.

Siç kam deklaruar, procesi i votës së diasporës u shtetëzua nga narkoshteti.

U shkel çdo standard, çdo kriter, çdo ligj, në mënyrë që Edi Rama, Ramaduro të themi, të mos i themi më Edi Rama, të arrinte rezultate 95 përqind, 93 përqind, 90 përqind siç arriti me votën e diasporës.

Tani shkelja e kontratës. Numri total i miratuar i votuesve ishte 245.935. Numri i zarfeve të dërguara është po kaq. Zarfe të mbërritura në KQZ janë gjithsej 202.309 zarfe, pra 18 përqind e atyre që iu nis zarfi, zarfi mbeti rrugës sepse nuk i pëlqente Edi Ramës votimi i tyre.

Në Itali kjo shifër është 17 përqind. Në Gjermani jo shifër është 15 përqind. Në SHBA kjo shifër është 16 përqind. Në Britaninë e Madhe kjo shifër 27 përqind. Në Francë 25 përqind. Në Greqi 19 përqind.

Problematikat e konstatuara me DHL-në.

Një, mungesë informacioni nga KQZ për zarfet e kthimit të votave nga diaspora në mënyrë që të mbyllet procesi i çdo vote në bazë të kodit unik të çdo zarfi, kërkesë e përsëritur nga përfaqësuesit ligjorë të PD.

Dy, vonesa në dërgimin e zarfeve. Rezulton se DHL i ka mbajtur vetë zarfet për shumë ditë pa i shpërndarë, deri në 2-3 javë në magazinat e veta.

Tre, shpërndarje zarfesh ditët e fundit para zgjedhjeve sipas informacionit të KQZ, duke mos u lënë kohë votuesve që të dorëzojnë mbrapsht zarfet.

Katër, shpërndarje e zarfeve me vonesë duke mos lënë mundësi për tre tentativa nga ana e DHL siç kërkon kontrata.

Dhe e fundit, shpërndarje e zarfeve edhe pas ditës së votimit duke bërë absurd tërë procesin dhe duke u mohuar të drejtën e votuesve dhjetëra mijëra votuesve.

Shkelje ligjore të DHL me kontraktimet.

Vendimi numri 13 i Komisionit Rregullator datë 12.11.2024 përcakton: fletët e votimit duhet të dërgohen individualisht tek votuesi. DHL nuk i ka dërguar individualisht. Ka dështuar.

Dorëzimi duhet të bëhet në adresën e deklaruar. DHL ka dështuar.

Fletët e votimit duhet të dorëzohen përmes një shërbimi ekspres. DHL ka dështuar.

Shkelje e kontratës së DHL me kontraktimet.

Nga shqyrtimi i informacionit zyrtar të DHL, vetëm dorëzimi i zarfeve tek votuesit, rezulton:

Qindra fatura të DHL janë pa firmën e marrësit. Asnjë vlerë ligjore.

Qindra fatura të DHL kanë vetëm një vizë në vend të firmës.

Qindra fatura të DHL kanë simbole dhe shenja të qarta, yllin me pesë cepa, logo e fushatës së PS, fjongo, germa, sipas porosisë nga qendra në mënyrë që të kontrollohej vota e diasporës.

Vota e diasporës është kontrolluar, patronazhuar një çdo fazë të procesit. Shenjat dalluese në vend të firmave e faktojnë këtë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Shtet-rrethim në zemër të turizmit/ Berisha: Ramaduro po shkatërron veriun!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar sot në Facebook një video nga Thethi, …