Në seancën e djeshme në Parlamentin Europian, eurodeputeti gjerman i CDU, David McAllister theksoi nevojën urgjente për përpjekje të reja nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe për garantimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, të lirë nga ndikimi politik.
Ai shprehu shqetësim për polarizimin e thellë politik në vend dhe për përplasjet mes shumicës dhe opozitës, që sipas tij u reflektuan dukshëm gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, McAllister denoncoi blerjen e votës dhe keqpërdorimin e burimeve publike nga partia në pushtet, të evidentuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Edhe eurodeputeti gjerman, Michael Gahler, që vëzhgoi zgjedhjet në vendin tonë, tha se ato nuk ishin të barabarta pasi qeveria e Edi Ramës abuzoi me burimet shtetërore.
FJALA E PLOTË E MCALLISTER
Zgjedhjet parlamentare në maj të këtij viti u zhvilluan në një ambient thellësisht të polarizuar. Ka bojkotime të shpeshta të parlamentit, përplasje të vazhdueshme dhe mungesë dialogu të vërtetë.
Siç dëgjuam edhe më herët, misioni ynë i vëzhgimit të zgjedhjeve, i udhëhequr nga kolegu ynë Michael Gahler, konfirmoi se këto zgjedhje ishin konkurruese, por u njollosën nga abuzimi me burimet publike dhe blerja e votës. Zbatimi i kufizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të siguronte një fushë loje të barabartë.
Rruga përpara kërkon më shumë sesa rregullime teknike. Ajo kërkon vullnet politik dhe një konsensus të gjerë. Reforma e vërtetë nuk mund të vijë nga një parti e vetme. Ajo kërkon dialog, besim dhe përfshirje midis të gjitha forcave politike shqiptare.
Bashkimi Evropian, dhe veçanërisht Parlamenti Evropian, është i gatshëm të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për reformë.