Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë fjalës së tij në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga ECR dhe Parlamenti Europian që po zhvillohet në Napoli foli për sfidat me të cilat përballet rajoni i Ballkanit dhe Europa.
Në panelin ku morën pjesë edhe Alice Carrazza (gazetare e Secolo d’Italia, Itali), Kaush Arha (Funksionar i Lartë i Administratës së Presidentit Trump) dhe Doaa Abdel Motaal (profesoreshë në Sciences Po), Mediu theksoi se kërcënimi më i madh për demokracinë vjen sot nga brenda, përmes përpjekjeve për të kufizuar lirinë e fjalës dhe për të ndikuar në udhëheqjen e vendeve sovrane nga aktorë të jashtëm.
Ai solli në vëmendje rastin e Ballkanit, ku po përjetohet një rritje shqetësuese e autoritarizmit, mungesë zgjedhjesh të lira dhe të ndershme, korrupsion i rrënjosur thellë dhe lidhje të forta mes krimit të organizuar dhe politikës, një realitet i konfirmuar edhe në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Fatmir Mediu vuri theksin te rreziku që po i kanoset demokracisë nga brenda vetë shoqërive europiane.
“J.D. Vance përmendi diçka të rëndësishme gjatë fjalës së tij në konferencë.
Kërcënimi nga brenda. Demokracia. Liria e fjalës.
Kjo është shumë e rëndësishme për vendet tona.
Duket se në ditët e sotme, disa njerëz duan të vendosin se kush udhëheq një vend mbi një vend tjetër.”
Mediu ndaloi më tej tek situata politike në Ballkan, duke theksuar mungesën e zgjedhjeve të lira dhe përfshirjen e krimit të organizuar në proceset elektorale.
“Së dyti, do t’ju them që në vendet e Ballkanit kemi një rritje të autoritarizmit, mungesë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,
dhe korrupsion përfshirës, krim të organizuar, kartele të lidhura,
të përfshira nga të dyja anët në manipulimin e zgjedhjeve,
dhe kjo u vërtetua në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.”
Ai ngriti gjithashtu alarmin për shpopullimin e vendit dhe rënien e lindshmërisë.
“Një tjetër problem i madh në Ballkan është rënia demografike.
Emigrimi masiv i të rinjve, qytetarëve të kualifikuar.
Më shumë se një milion shqiptarë kanë lënë vendin vitet e fundit.
Dhe norma e lindjeve në Shqipëri është më e ulëta në rajon, dhe ndryshon shumë.”
Panelistët trajtuan sfidat gjeopolitike në Ballkan dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes vendeve të NATO-s në Ballkan, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
U theksua se Rusia dhe Kina po zgjerojnë ndikimin e tyre ushtarak, ekonomik dhe politik në rajon, të nxitura nga skepticizmi ndaj BE-së dhe angazhimi gjithnjë e më i kufizuar i SHBA-ve.
Ata paralajmëruan për rolin e Rusisë në nxitjen e tensioneve përmes Serbisë, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, për të ruajtur status quo-në dhe për të rikthyer konfliktet historike.
Po ashtu, u denoncuan përpjekjet për të bllokuar integrimin europian dhe për të ndërhyrë në proceset zgjedhore përmes korrupsionit dhe kapjes së institucioneve.
Një tjetër pikë kyçe ishte angazhimi në korridoret strategjike të Nismës së Tre Deteve dhe të BE-së, si dhe nevoja për të përshpejtuar diversifikimin energjetik, për të reduktuar varësinë nga Rusia dhe për të forcuar pavarësinë ekonomike dhe gjeopolitike të rajonit.
Në përmbyllje, Kryetari i PR, Fatmir Mediu bëri thirrje për një bashkëpunim më të fortë midis forcave konservatore në Europë, për të mbrojtur demokracinë, për të garantuar stabilitetin në rajon dhe për të frenuar shpopullimin dhe ndikimet e huaja destabilizuese.