Nga Bujar LESKAJ
Ajo që po ndodh këto ditë në Theth është një shembull flagrant i zbatimit të politikave antikombëtare të sektit politik që drejtohet nga Edi Rama. Këto veprime nuk janë të rastësishme. Ato po vazhdojnë të zbatohen me cinizëm si një strategji e pastër shpopullimi që ka mbi një dekadë që po aplikohet nga sekti Rama, si dhe zhdukjen e strukturës tradicionale të komuniteteve malore
Ky projekt i zymtë nuk është i ri. Veriu i Shqipërisë ka qenë prej kohësh nën goditje, dhe tashmë Thethi është bërë skena kryesore e një agresioni institucional, ku ligji zbatohet përmes urdhrit verbal të Kryeministrit dhe jo përmes institucioneve të pavarura.
Në kulmin e sezonit turistik, qeveria ka urdhëruar shembjen e banesave dhe bizneseve tradicionale, pa paralajmërim real dhe pa ofruar zgjidhje.
Goditja brutale ndaj pronës private, në mes të ditës dhe në mes të sezonit turistik, përbën një precedent të rrezikshëm në zbatimin e ligjit. Në vend që të veprojnë mbi bazën e Kushtetutës dhe të drejtës, institucionet shtetërore veprojnë mbi bazën e deklaratave televizive të Kryeministrit. Ligji është zëvendësuar me fjalën e tij. Kjo është jo vetëm e papranueshme, por edhe e frikshme.
Ndërsa në Theth po ndodhin prishje masive, në një akt karshilleku të pastër, Kryeministri poston të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”. Kjo nuk është rastësi, është një përpjekje e qartë për të legjitimuar grabitjen e pronave dhe dhënien e tyre oligarkëve të radhës. Prona e trashëguar ndër breza, tokë me histori dhe identitet, sot kërcënohet nga makineria e shtetit.
Duhet të jemi të gjithë në krah të banorëve të Thethit. Ata nuk janë vetëm në këtë betejë. Qëndresa e tyre kundër arrogancës shtetërore është akt i guximshëm dhe duhet të frymëzojë solidaritet në të gjithë vendin. Ndërkohë, qeveria, pas këtij agresioni të pastër shtetëror, duhet të marrë përgjegjësi dhe të dëmshpërblejë banorët për dëmet e shkaktuara.
Deputetja demokrate Greta Bardeli ka qenë e pranishme dhe e ka përshkruar situatën me fjalë të qarta dhe tronditëse:
“Thethi duket si zonë lufte. Janë shembur banesa dhe biznese historike, në mes të sezonit turistik. Banorët ndihen të tradhtuar nga një shtet që dikur i nxiti të investonin në vendlindje. IKMT dhe policia po ushtrojnë presion. Kjo është një goditje e rëndë ndaj një komuniteti me traditë shekullore.”
Komuniteti i Thethit nuk kërkoi as mëshirë, as privilegje por thjesht të drejtat e tyre: legalizim të banesave të trashëguara, infrastrukturë minimale, dhe trajtim dinjitoz nga shteti. Në vend të këtyre, morën buldozerë dhe urdhra për shkatërrim.
Kjo masakër urbanistike është bërë përpara syve të gjithë opinionit publik – kombëtar dhe ndërkombëtar. Banorët janë ndjerë të tradhtuar, sepse ishte vetë Kryeministri ai që 1 vit më parë i nxiti të ktheheshin në vendlindje, të investonin, të ndërtonin të ardhmen. Disa prej bizneseve të goditura kanë mbi 30 vite aktivitet, i kanë paguar shtetit të gjitha detyrimet dhe kanë kërkuar dialog, por janë injoruar.Këto nuk janë shtëpi të zakonshme, janë banesa mbi 500-vjeçare, trashëgimi kulturore dhe familjare.
Pamja në Theth sot ngjan me ato që shohim në zonat e luftës. Një vend me histori, me zakone, me mikpritje, është lënë në mëshirë të fatit. Si është e mundur që një qeveri nuk arrin të komunikojë me një komunitet që kërkon thjesht rregull dhe drejtësi? Ky është një mesazh i qartë, një paralajmërim për gjithë Shqipërinë: pas Thethit, mund të vijë radha e kujtdo.
Pak ditë më parë, në mënyrë paralajmëruese, u publikua “Paketa e Maleve”, një ligj të cilin ne deputetët e opozitës e kemi kundërshtuar fort në Kuvend, si një mjet për të grabitur tokat e të parëve tanë dhe për t’i dhënë në duart e oligarkëve. Dhe Thethi është vetëm fillimi.
Ky akt përfaqëson një precedent të rëndë, ku prona private goditet në emër të interesave të oligarkëve. Ndaj, qëndresa e banorëve të Thethit është jo vetëm legjitime, por e domosdoshme. Solidariteti ynë me ta duhet të jetë i plotë dhe i pakufi!