Nga Elona CASLLI
Në jetë ka disa lloj vetmish. Një prej tyre është edhe vetmia e fjalëve të duhura. Në realitetin shqiptar fjala e duhur shoqërohet me vetmi. Ai, që thotë të vërtetën, gjendet gjithmonë i vetëm.
Kjo lloj vetmie m’u rikujtua teksa dëgjova fjalët e Dom Vlash Palajt gjatë një meshe mbi ngjarjet që ndodhën në Theth.
Thonë se fjalët që dalin nga shpirti hyjnë menjeherë në shpirt. “Nga shpirti në shpirt” e quajnë si proces dhe kanë të drejtë, pasi një ligjëratë, që del nga brendia e shpirtit, e gërvisht dëgjuesin, ia trondit qetësinë, e bën të mendojë dhe ia shkrin akullin e shpërfilljes për ngjarjet që ndodhin jashtë tij dhe jo brenda tij.
E tillë qe fjala e Dom Vlash Palajt. Një fjalë që tronditi opinionin publik madje edhe vetë kryeministrin i cili në ligjëratë të drejtë tha; -” Ishte edhe një prift që kish folur”.
Ndërkohë që ai, që kryeministri e quan thjesht ” një prift”, ka një emër të përveçëm, ka një moshë të caktuar, ka një argument që rëndon në fjalën e tij sikundër ka edhe vetminë e fjalëve të duhura në këtë çast tejet të vështirë që po kalon vendi.
Pra, Dom Vlash Palaj nuk është thjesht një prift. Është njē zë ,që thotë të vërtetën, në zemrën e heshtjes shtypëse që ka pllakosur Shqipërinë dhe një zë i përveçëm nuk mund të indentifikohet me një emër të përgjithshëm në numrin njëjës.
Post Scriptum- Thethi u shemb, por Dom Vlash Palaj tha të vërtetën.